Serbia paralajmëron hetim të njëanshëm për rastin e Ivanoviq

Serbia paralajmëron hetim të njëanshëm për rastin e Ivanoviq

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ka kërcënuar se Serbia do të hetojë në mënyrë të njëanshme vrasjen e Oliver Ivanoviq, në qoftë se autoritetet kosovare nuk do të lejojnë përfshirjen e tyre në hetime.

Bërnabiq tha për Radio Evropa e Lirë se është e rëndësishme që të vihen para drejtësisë autorët e krimit.

“Çfarë është e rëndësishme, është se nëse nuk na lejohet të marrim pjesë në hetimet [për vrasjen e Oliver Ivanoviq, v.j], ne do të duhet të nisim hetim të njëanshëm, sigurisht”, deklaroi Bërnabiq, teksa u shpreh se ende beson që do të ketë marrëveshje me Kosovën për t’u bërë pjesë e hetimeve.

Bërnabiq tregoi detaje nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, që u mbajt sot në Beograd.

“Në takimin e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ne u konsultuam me Agjencinë për Siguri dhe Agjencinë Ushtarake të Sigurisë, dhe ata do të punojnë në këtë çështje. Gjëja e vetme e rëndësishme në këtë moment është të gjehen vrasësit dhe të vihen para drejtësisë”, ka thënë ajo.

Oliver Ivanoviq u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e së hënës në Mitrovicën Veriore, derisa vdiq nga plagët e marra sot në mëngjes.

Ivanoviq u vra para selisë së Iniciativës Qytetare SDP, parti në të cilën mbante pozitën e kryetarit. /Insajderi.com