Nënshkruhet marrëveshje mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Françeskane “At Gjergj Fishta”

Nënshkruhet marrëveshje mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Françeskane “At Gjergj Fishta”

Në Bibliotekën Françeskane “At Gjergj Fishta”, në praninë e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Shala dhe Ministrit Provincial të Françeskanëve në Shqipëri, pater Aurel Gjerkajt, është nënshkruar Marrëveshja e bashkëpunimit midis Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Françeskane “At Gjergj Fishta”.

Marrëveshja është nënshkruar nga Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe At. Vitor Demaj Drejtori i Bibliotekës Françeskane “At Gjergj Fishta”, shkruan KultPlus.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, të dy bibliotekat do të punojnë në shkëmbim e huazim të materialeve bibliotekare nga fusha e albanologjisë, posaçërisht të librit dhe të dorëshkrimeve.

Marrëveshja do të forcojë bashkëpunimin edhe në fushë të hulumtimit, të grumbullimit dhe të ruajtjes së kulturës shqiptare.

Sipas kësaj marrëveshjeje, gjithashtu, parashihet promovimi i veprimtarive të përbashkëta bibliografike, ekspozitave e botimeve.

Provinca Françeskane Shqiptare në këto vitet e fundit ka filluar projektin për nxjerrjen në dritë të të gjithë veprave të shkrimtarëve françeskanë gjatë rreth një shekulli, një kolanë veprash – botime dhe ribotime nga fusha e letërsisë, gjuhësisë, historisë, etnografisë e folklorit shqiptar, duke përfshirë nga autori Át Gjergj Fishta e deri te Át Zef Pllumi. Të gjitha këto vepra gati një gjysmë shekulli ishin anatemuar nga regjimi komunist.

Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta” në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje i dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të gjithë numrat e revistës së mirënjohur “Hylli i Dritës” nga viti 2006 deri në vitin 2017, si dhe numrat, nga viti 1999 deri më 2005, të revistës së përjavshme kulturore që boton Qendra e Studime shqiptare “Ernest Koliqi”.

Gjithashtu, janë dhuruar edhe tituj të tjerë nga kolona e botimeve të Bibliotekës Françeskane “Át Gjergj Fishta”.