Nënkryetari i PDK-së: Veseli ofroi zgjidhje – partitë të lëshojnë pe

04.08.2017 18:26
Nënkryetari i PDK-së: Veseli ofroi zgjidhje – partitë të lëshojnë pe

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, ka thënë se të gjitha partitë duhet të reflektojnë, që të mos kemi një krizë të re politike.

Ai ka theksuar se nëse shkohet me inate, atëherë pa u bërë Kadri Veseli kryeparlamentar e gjithë jeta politike në Kosovë mbetet e bllokuar, ndërsa ka kërkuar që partitë ta shqyrtojnë ofertën e Veselit për dalje nga kriza, njofton Klan Kosova.

“Të gjitha partitë duhet të marrin mësin nga kriza e para tri vjetëve dhe ne si PDK do të punojmë në këtë drejtim, pasi nuk guxojmë që ajo krizë të përsëritet. Ne kemi dalur me një zgjidhje që të zhbllokohet formimi i institucioneve, në mënyrë që të mos mbetemi në këtë pozitë”, ka thënë Bajrami për Klan Kosovën.

“PDK është në të drejtën kushtetuese për ta pasur kryetarin e kuvendit. Versioni i parë, nëse të gjitha partitë duan të jenë kryenece, duhet të gjendet metoda për t’u votuar kryetari i kuvendit. Nëse nuk ka konsensus, vendi do të mbahet në krizë, pasi e drejta e PDK-së është e patransferueshme”, ka thënë ai.

Ministri në largim i Arsimit ka thënë se Kadri Veseli është treguar i përgjegjshëm me tërheqjen për postin e kryeparlamentarit.

“Por duke pasur përgjegjësi para vendit, Kadri Veseli, ai u ka bërë propozim partive tjera për një alternativë tjetër për kryetar kuvendi, nëse opozita pajtohet që të procedohet për qeverinë”, ka thënë Bajrami.

“Zgjedhjet duhet të shmangen, sepse demokracitë e reja nuk mund të përballojnë kriza të vazhdueshme dhe zgjedhje të njëpasnjëshme. Kujtoj se herën e shkuar, në raudin e parë unë nuk u pata zgjedhur për kryetar kuvendi, ndërsa Kadri Veseli po. Nëse ka qenë atëherë i pranueshëm, pse nuk është tani”, u shpreh ai. /Insajderi.com