Nënkryetari i PDK-së thotë se amerikanët kanë premtuar ushtrinë, Vulin po gënjen

Nënkryetari i PDK-së thotë se amerikanët kanë premtuar ushtrinë, Vulin po gënjen

Nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, i është kundërpërgjigjur ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin, për deklaratat e tij se Kosova s’ka mundësi ta formojë ushtrinë. Hoti ka thënë se Vulin është duke gënjyer.

“Një përgjigje Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë z. Aleksandër Vulin, Është e vështirë të kalojë një javë në Ballkanin Perëndimor e të mos vjen së paku një kërcënim a ndërhyrje e shtetit fqinj, Serbisë, ndaj Republikës së Kosovës. Kësaj radhe na çon porosi Ministri i Mbrojtës i Serbisë, Aleksandër Vulin, duke na përkujtuar se me ministrat serbë në qeverinë e Prishtinës është e pamundur formimi i ushtrisë së Republikës së Kosovës”.

“Ministri i Mbrojtjes i Serbisë nuk besoj se nuk e dinë se as ai e as Serbia nuk është pyetur kur është shpallur Republika e Kosovës. Po ashtu ai duhet të ketë lexuar diku qëndrimin e Ambasadorit të SHBA-s në Kosovë, Greg Delawie, se ushtria e Republikës së Kosovës do të bëhet, mbase brenda këtij viti (2017) dhe se askush, asnjë faktor politik, nuk e ka të drejtën e vetos në Kosovë ndaj kësaj çështjeje”.

“Kjo, zoti Ministër i Mbrojtjes i Serbisë, kujtoj se duhet të merrte në konsideratë. Mos e bartni më në shpirt e mbi supet e Serbisë të kaluarën mitologjike mbi gjashtë qindvjeçare me identitet të rrejshëm. Jemi fqinj real, jo fqinj mitologjik! Eja të jetojmë pranë njëri-tjetrit. Kemi shumëçka për të ndrequr e kuvenduar”, ka përfunduar Hoti.