Nënkryetari i LDK-së shpërfill urdhrat e kryetarit Mustafa

Nënkryetari i LDK-së shpërfill urdhrat e kryetarit Mustafa

Kryetari që është duke synuar edhe për një mandat të dytë për Komunën e Podujevës, Agim Veliu, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk është duke iu bindur urdhrave të liderit të partisë së tij.

Një foto të cilën e ka siguruar Gazeta Online Insajderi,  postieri i Agim Veliut shihet i vendosur në një objekt në qytetin e Podujevës.

Ky veprim i Veliut, është në kundërshtim me rregullat të cilat i ka vendosur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa kishte shkruar se do të dënohen ata kandidatë të cilët vendosin postierë gjatë fushatës.

“LDK do të publikojë emrat e atyre që nuk respektojnë heqjen dorë nga posterët, që dëmtojnë ambientin dhe buxhetin e partisë. Do të kërkojmë që dënimet t’i paguajnë ata që thyejnë rregullat dhe se nuk do të kërkojmë votë për ata/ato nga qytetarët dhe anëtarësia e LDK-së”, kishte shkruar Mustafa.

Këtë rregull nuk e kishte respektuar as kandidati për kryetar të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Një poster i Gazmend Muhaxherit i vendosur në objektin e Komunës së Pejës, i ka kushtuar me gjobë prej 700.00 (shtatëqind) eurove Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kjo pasi, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka shqiptuar gjobë sot LDK-së për posterin e kandidatit të saj në Pejë, në kundërshtim me Ligjin Për Zgjedhje. /Insajderi.com