Nënkryetari i Komunës aksidenton dy vajza me veturë zyrtare – Policia nuk raporton

Nënkryetari i Komunës aksidenton dy vajza me veturë zyrtare – Policia nuk raporton

Dy fëmijë me inicialet Y.B. dhe E.D., pasditen e së martës, kanë mbetur të lënduar, meqë janë goditur me veturë nga nënkryetari i Lipjanit, Sefer Tasholli.

Deri rreth orës 17:30, Tasholli thotë të ketë qenë në komunë, ndërsa pak minuta më vonë me veturën “Golf 4”, me targa zyrtare, ka goditur dy të miturat: 5 dhe 8 vjeçare, raporton KTV.

Ai thotë të ketë telefonuar menjëherë policinë dhe ndihmën e shpejtë, ndërsa u ka kërkuar falje edhe familjarëve të vajzave.

Derisa ka thënë se fëmijëve u ka shkaktuar lëndime të lehta, ai ka pranuar se njëri fëmijë e ka të thyer një dhëmb, siç e ka quajtur ai “të qumështit”.

Por, sipas dëshmitarëve, shpejtësia e lëvizjes së mjetit zyrtar nuk ka qenë aq e vogël sa pretendon nënkryetari Tasholli.

E ky aksident nuk ka qenë i përfshirë në raportin 24 orësh të policisë.

Sipas këtyre të fundit, kjo ka ndodhur pasi në këtë raport nuk futen aksidentet me lëndime të lehta.

Por, vetë komandanti i Njësitit të Trafikut për Rajonin e Prishtinës, Milaim Fejzullahu, pranon se thyerja e dhëmbit konsiderohet lëndim i rëndë.

Në QKMF në Lipjan, nuk kanë dhënë asnjë detaj për të lënduarit, pasi drejtori i saj, Agim Krasniqi, është në pushim jashtë vendit.

Ndërsa asnjë detaj nuk e ka dhënë as shefi i urgjencës, Nuhi Ahmeti.

E derisa ka thënë se është liruar menjëherë pas intervistës, Sefer Tasholli ka mohuar tentimin për fshehjen e këtij aksidenti.

Ndërsa vozitjen e veturës zyrtare pas orës 16 e ka arsyetuar me vendimin e Kuvendit Komunal, që i jep atij në dispozicion shfrytëzimin e saj 24 orë, për nevoja të komunës.

E përkundër mospërfshirjes në raportin 24 orësh, në polici ekziston një raport për këtë rast.

Ndërsa, Fejzullahu ka njoftuar se pas kompletimit të deklaratave dhe dëshmive, nëse konstatohet se fëmijëve u janë shkaktuar lëndime të rënda, ndaj nënkryetarit do të parashtrohet kallëzim penal.