Nenë Tereza, sot bëhet shenjtërimi i saj në Vatikan

Nga dita e sotme – e diele, 4 shtator 2016 – Nënë Tereza do të thirret Shën Tereza, një titull ky i merituar për një shqiptare që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të të varfërve, jetimëve dhe të sëmurëve.

Nenë Tereza, sot bëhet shenjtërimi i saj në Vatikan

Nga dita e premte në Vatikan ka hyrë në zbatim plani i sigurisë së lartë i hartuar nga Prefektura e Romës me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të humanistes shqiptare, ku janë parashikuar të marrin pjesë rreth 100 mijë besimtarë në meshën e Shenjtërimit të Nënës Tereze.

Praninë e kanë konfirmuar delegacione qeveritare nga e gjithë bota. Ndërsa, rreth 600 gazetarë e 125 korrespondentë televizivë janë të akredituar për të ndjekur këtë ngjarje të madhe.

Ceremonia e Shenjtërimit të Nënës Tereze si dhe mesha e Festës së Shenjtores Terezë, do të transmetohet direkt nga qendra televizive e Vatikanit, si dhe nga 120 televizione të ndryshme në botë, përfshirë edhe televizionet nga Kosova dhe Shqipëria.

Gjithashtu, ceremonia mund të ndiqet me live stream në kanalin në YouTube te qendrës televizive të Vatikanit.

Ceremonia për shënjtërimin e Nënës Tereze nis sot prej orës 10:30, në Vatikan të Romës.

Agnesë Gonxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910, në një familje shqiptare (prindërit e lindur në Kosovën e sotme), në Shkup. Rrugëtimin si murgeshë e nisi në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë udhëtoi drejt Indisë ku krijoi urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, i cili edhe sot udhëheq shtëpi për fëmijë të braktisur, njerëz të varfër dhe të sëmurë.

Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e shenjtërimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj. Nënë Tereza u lumnua më 19 tetor 2003.

Më 17.12.2015, Papa Françesku njohu mrekullinë dhe nënshkroi dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës, duke njohur mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e saj: shërimin e një besimtari brazilian, të sëmurë me tumor në tru.

Më 4 qershor 2016 u caktua edhe data e shenjtërimit: e diele, 4 shtator 2016, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan./telegrafi/