Nëna heq dorë nga vajza e dhunuar, pranon që atë ta lidhin me zinxhirë

Nëna heq dorë nga vajza e dhunuar, pranon që atë ta lidhin me zinxhirë

Një vajzë nga një fshat i Gjilanit rrëfeu se ka rënë viktimë e trafikimit, rrahjes dhe dhunimit seksual, duke qenë se ajo ka probleme mendore.

Ajo rrëfeu, në Klan Kosova, se është trafikuar seksualisht nga një grua e cila i kishte premtuar punësim. Ndërsa edhe para se t’i mbushte 18-vjet, ajo kishte qenë e abuzuar seksualisht.

“Një grua m’ka marrë m’ka shit me pare. I thirrke djemtë te shpija e vet”, tregon vajza.

Nisur nga fakti që është e prapambetur nga shëndeti mendor, ajo edhe më tej merret nga njerëz të moshave të ndryshme dhe mbahet për disa javë larg shtëpisë. Hera e fundit ka qenë këtë qershor.

Kjo ka bërë që ajo të trajtohet mizorisht edhe në shtëpinë ku ajo jeton.

“Nana, qita ma ka ngulë me thikë”, tregon vajza për një plagë në këmbë.

Njerku i saj rrëfeu se e lidhin me zinxhirë për të mos e lënë të ikë. Ai thotë se është në hall me vajzën.

“E kam gjet disa herë në hotele”, tha ai, duke shtuar se e lajmëron policinë, dhe se edhe policia gjithashtu e kanë gjetur shpeshherë në hotele.

E krejt kjo histori për nënës e vajzës nuk përbën asgjë të rëndësishme.

“Çkado boni me to hiq nuk më intereson”, tha ajo në Klan Kosova.

Ndërsa, kur vajza e dhunuar pyetet për moshën e burrave tek të cilët është trafikuar, ajo tregon se ata janë 50-vjeçarë.

“Me kerr ne rrugë më marrin, e mandej më çojnë te hoteli”, tregon ajo.

Për numrin e njerëzve me të cilët ka kontakt ajo nuk është e sigurt, thotë se janë shumë, deri në 10 persona.

Për rastin janë të informuar edhe Policia, të cilët kanë thënë se persona të ndryshëm janë dënuar për dhunë ndaj vajzës, dhe disa të tjerë janë në procedura gjyqësore.

Por, ky rast po mbetet i patrajtuar nga ana sociale, pasi që drejtoria komunale e kësaj fushe thotë se nuk ka mundësi të kujdeset për këtë vajzë. /Insajderi.com