Në Turqi shtohen sërish turistët

Megjithë krizat që ndodhën në Turqi, numri i turistëve në këtë vend po shënon sërish ngritje. Por shifrat janë ende nën ato të viteve rekord.

Në Turqi shtohen sërish turistët

Përpjekje grusht shteti, kërcënime terroriste, dhe vazhdimisht përleshje verbale mes përfaqësuesve të qeverisë gjermane dhe asaj turke – kush dëshiron të shkojë ende në Turqi në këto rrethana? Përgjigja është befasuese: shumë. Ministria turke e Kulturës dhe e Turizmit prezantoi së fundi të dhënat për pranverën. Përfundimi: në prill 2017 kishte pasur përsëri për herë të parë që nga viti 2015 më shumë turistë; në krahasim me fillimin e vitit, numri i turistëve është rritur me gati 20 për qind.

Përveç rusëve që janë tradicionalisht aty, gjermanët po e përbëjnë shumicën e turistëve në Turqi. Sipas Shoqatës gjermane të Turizmit, janë sidomos familjet që preferojnë ofertat all-inclusive në bregdetin turk. Shumë hotele kanë investuar shumë në këtë drejtim. Dhe shteti e ka zgjeruar shumë infrastrukturën turistike dhe atë rrugore.

Turizimi është një sektor i rëndësishëm i ekonomisë turke. Ai sjell rreth 13% të prodhimit bruto të vendit. Sulmet në fillim të vitit 2016 në Stamboll, ku gjetën vdekjen edhe gjermanë, si dhe përpjekjapër grusht shteti shkaktuan një rënie prej 40% të ardhurave nga turizimi.

Çmimet e favorshme

Pasi presidenti rus e shfuqizoi urdhërin e ndalimit të avionëve rusë çarter për të shkuar në Turqi numri i turistëve rusë është pesëfishuar deri në pranverën e këtij viti. Vendimi për ndalimin e avionëve rusë çarter për të shkuar në Turqi qe marrë pas qëllimit të një avioni ushtarak rus nga trupat turke.

Sipas Shoqatës gjermane të Turizmit shtimi i numrit të tursitëve gjermanë lidhet sigurisht me çmimet e favorshme dhe me raportin e mirë mes çmimit dhe shërbimit.