Në Shqipëri nis puna për gjetjen e rreth 6 mijë të zhdukurve të komunizmit

Në Shqipëri nis puna për gjetjen e rreth 6 mijë të zhdukurve të komunizmit

Qeveria Shqiptare dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur kanë nënshkruar një marrëveshje për identifikimin e gjetjen e të zhdukurve gjatë diktaturës. Genta Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit e quajti këtë angazhim institucional qeveritar për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të zhdukurve apo te humburve të diktaturës një hap të rëndësishëm.

“Rreth 6,000 qytetarë, të ekzekutuar me apo pa gjyq, ose të vdekur burgjeve, nuk mundën të ktheheshin në shtëpi, në mënyrën më çnjerëzore. Mes tyre ka figura të shquara dhe njerëz të thjeshtë”, tha ajo, shkruan “Shqip”. Sula solli në kujtesë një histori personale.

”Në cilësinë e familjares së një personi të zhdukur prej vitit 1952 dëshmoj se prej disa dhjetëvjeçarësh jemi përpjekur të bëjmë diçka për eshtrat e gjyshit tonë që unë nuk munda ta njoh kurrë. Sulejman Mara vdiq ne rrethana te paqarta dhe humbi në burgun e Burrelit, në moshën 44-vjeçare. Baba i 5 fëmijëve. Qytetar i respektuar në bashkësinë e tij.

Por emri i tij nuk figuronte si i humbur ne librat e shtetit. Prokuroria e rrethit Burrel nuk hapi ndonjë proces për kërkimin e tij. Në përpjekje për të bërë diçka për t’i vënë në vend dinjitetin, mësova me dhimbje se vendvarrimet e tilla ishin shpesh të pa shënjuara, apo dhe të tjetërsuara në ndërtesa apo ngrehina të tjera, si p.sh., fushë sporti (rasti i Burrelit).

Ishim pajtuar mbase me faktin se shteti s’kishte mjete për të bërë një kërkim të tillë në mënyrë efikase sepse analizat e ADN-se ishin te kushtueshme, por mosrespektimi i vendvarrimeve të njohura si të tilla më dukej shumë i rëndë”, u shpreh Sula.

Sipas saj, sfida të tjera do të vijojnë me hapjen e këtij procesi por e rëndësishme është që shteti mori përsipër njohjen e problemit dhe kontributi i institucioneve shqiptare për këtë është rritur vit pas viti.

“Ishte përmirësuar kuadrin ligjor, me qëllim që viktimave t’u garantohet e drejta e njohjes së të vërtetës për rrethanat e zhdukjes me forcë dhe e drejta për të kërkuar informacion, e drejta për drejtësi si dhe masat që duhet të ndërmarrë shteti për ta mundësuar drejtësinë; e drejta për rehabilitim efektiv, përfshirë dëmshpërblimin, ruajtjen e kujtesës dhe garancinë e mos përsëritjes së faktit. Kështu ishin ratifikuar “Konventa Evropiane “Për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme” në vitin 2004, atë te 2008 te Parlamentit shqiptar për Dënimi e Krimeve te komunizmit, duke vijuar më tej me ratifikimin nga Republika e Shqipërisë të Konventës Ndërkombëtare e OKB-SË “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë” në vitin 2007. Ndërkohë një marrëdhënie me ICMP datonte vitin 2011, pa mundur te materializohej.

Qeveria Shqiptare, me propozim të MMSR dhe bashkëpunim me ICMP adoptoi në dhjetor të 2015 një plan veprimi për kërkimin dhe gjetjen e të zhdukurve të diktaturës. Grupi i posaçëm i OKB-së për të drejtën mbi të vërtetën dhe mospërsëritjen e abuzimeve masive me të drejtat e njeriut, në dhjetor 2016 raportoi gjerësisht për problemin e pazgjidhur të varreve të fshehura të diktaturës. Dhe konstatoi me te drejtë se familjet ishin krejtësisht të demoralizuara për të kërkuar të drejtën e tyre për të vërtetën dhe qartësimin e fatit të familjarit të munguar”, tha Sula

Raportet e Komitetit të Zhdukjeve me Forcë të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 2018 përmendin çështjen e të zhdukurve të komunizmit;

Mes tyre, i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, të cilin e kryesoj që nga fillimi i 2017.

Përparësi dhe kujdes i posaçëm i është kushtuar nga ana e legjislatorit dhënies të së drejtës për akses, mbi bazë kërkese në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për personat e vdekur dhe të shpallur të zhdukur, si dhe vënia në dispozicion e dublikatave të tyre, duke përcaktuar rendin ligjor të personave që përfitojnë nga kjo e drejtë dhe të afërmve të tyre, në funksion të qartësimit të fatit të të vdekurve apo të të zhdukurve, për rehabilitimin, për ruajtjen e të drejtave të personalitetit të të vdekurve apo të zhdukurve.

Po kështu, për kërkesat e paraqitura nga gjykatat, prokuroritë ose Policia Gjyqësore, për efekt të një procedimi penal të regjistruar, Autoriteti kryen verifikimet e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni, dhe në çdo rast, vepron në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale në fuqi. Sipas Sulës deri tani numri i kërkesave që kanë të bëjnë me persona të zhdukur në AIDSSH e ka kaluar 40 dhe rritet ditë pas dite.

“Kjo lidhet me besimin ne rritje te familjarëve të të zhdukurve për të drejtën e tyre njerëzore për të kërkuar vendprehjen e të ekzekutuarve pa gjyq, e të zhdukurve në rrethana të paqarta, traumë që familja e ka mbartur për vite të tëra dhe ka mbetur e patrajtuar.

Gjej rastin këtu të shpreh nderimin tim më të lartë për familjarët e përkushtuar, si Nikolin Kurti, Hamza Kazazi, Vera Mborja, apo familjet Toto, Plaku, etj., që megjithëse gjatë këtyre viteve nuk ia kanë dalë, ende bëjnë detyrën e tyre humane të mos-humbjes së shpresës dhe respektit ndaj familjarëve të tyre të ndjerë që janë ende të humbur.

Një shembull i lartë i qëndresës dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor është ai i familjarëve të të ekzekutuarve pa gjyq me pretekstin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike, familjet Shehu, Kaceli, Peshkëpia, Kasimati, etj., të cilët jo vetëm mundën t’i rikuperonin eshtrat e familjarëve, por kanë 25 vjet që ende synojnë kthimin e vendit të ekzekutimit në vend të kujtesës dhe vetëdijesimi”, tha Sula. Sipas saj, “çdo vend ekzekutim dhe vendvarrim i fshehtë duhet të ruhet, shënjohet dhe të kthehet në vend ndërgjegjësimi”.