Nën moton “Zgjohu për ajër të pastër” qindra qytetarë të Shkupit sot protestuan para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Ata kërkuan zgjidhje " />

Në Shkup u protestua kundër ndotjes së ajrit

Në Shkup u protestua kundër ndotjes së ajrit

Nën moton “Zgjohu për ajër të pastër” qindra qytetarë të Shkupit sot protestuan para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Ata kërkuan zgjidhje të shpejtë dhe afatgjate të problemit, ndërkohë akuzuan autoritetet kompetente se nuk angazhohen mjaftueshëm për zgjidhje e kësaj çështje.

Protesta u organizua përmes rrjeteve sociale nga grupe të ndryshme qytetarësh.

“Protestojë kundër jo aftësisë së Qeverisë për përballje me ndotjen e ajrit. Gjithmonë thuhet gjoja po ndërmerren masa dhe akuzohen qytetarët e thjeshtë , ndërkaq Qeveria pafuqinë e saj për tu përballur me këtë problem ua hedh më të dobëtëve. Dhe ja dolëm ta tregojnë revoltën tonë kundër kësaj. Kërkesa jonë është që gjithë Maqedonia të thithë ajër të pastër dhe kualitativ”.

 

Gjatë protestës së sotme u vërejt një numër i vogël i protestuesve shqiptarë edhe përkundër që ndotja i tangon të gjithë pa dallime fetare e kombëtare.

“Apeloj për një vetëdijesim më të madh tek ana jonë shqiptare sepse mungon kultura e të protestuarit. Protesta është e mirë e përgjithshme, protesta nuk është politikë është apolitikë ndaj ngrihuni të gjithë protestoni sepse ajri është i të gjithëve. Ajri nuk ka nacionalitet”, tha një qytetar, shkruan AlsatM.

Dy ditët e kaluar Qyteti i Shkupit është ranguar si qyteti më i ndotur në botë.

Gjatë ditës së djeshme Qeveria kumtoi një sërë masash të cilësuara si urgjente kundër ndotjes së ajrit, si lirimi i të sëmurëve kronik dhe të moshuarve nga puna periudhën derisa do jetë ajri i ndotur, pastrimi i përditshëm i rrugëve, reduktimi i komunikacionit rrugor etj.

Por të gjitha këto masa, sipas njoftimit të Qeverisë do të gjejnë zbatim vetëm nëse gjatë ditës së sotme dhe nesërme stacionet matëse të ndotjes së ajrit do të tregojnë nivel të ndotjes mbi 200 mikogram grimca në metër kub.