Klinika e Radiologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga dita e sotme do të ofrojë shërbimin e Rezonancës së gjirit dhe mamografin 2 që do të ofrojnë shërbime gratë kosovare.
Me këtë rast, drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Serbeze Kabashi- Muçaj, njoftoi se nga sot, për herë të parë në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, do të fillojë të ofrohet shërbimi i kompletuar i diagnostikës së gjirit, përfshirë Rezonancën e gjirit, mamografia, ultrazëri dhe biopsia e gjirit.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili theksoi se me përurimin dhe funksionalizimin e kësaj aparature pacientet nuk do të kenë nevojë të dalin jashtë institucioneve shëndetësore publike, por shërbimin do ta marrin brenda tyre.
Sipas tij, qëllimi i Ministrisë së Shëndetësisë është krijimi i kushteve që shërbimet shëndetësore të ofrohen brenda institucioneve shëndetësore publike dhe pacientët të mos kenë nevojë të shkojnë jashtë vendi.
Ministri Ismaili, mes tjerash u shpreh se për këtë ka vullnet dhe gatishmëri dhe po punohet për të ndryshuar gjërat në të mirë të institucioneve shëndetësore.
Kurse ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK-së, theksoi se rëndësia e këtij shërbimi rritet edhe më tepër meqë përurimi po bëhet në muajin e luftimit të kancerit të gjirit, përderisa përmes këtij shërbimi diagnostikimi do të jetë shumë më i lehtë.
Ibrahim Rudhani, prodekan për shëndetësi në Fakultetin e Mjekësisë, tha se dekanati i Fakultetit të Mjekësisë ka përkrahur dhe do të përkrahë avancimet shkencore të profesionistëve shëndetësorë, e në këtë rast edhe atyre të degëve diagnostike.
Për pajisjen me mamograf të ri janë angazhuar dhe kanë mbështetur edhe gratë deputete të Parlamentit të Kosovës.