Në pritje të refugjatëve, Kanadaja mobilizon ushtrinë

10.08.2017 17:32
Në pritje të refugjatëve, Kanadaja mobilizon ushtrinë

Kanadaja ka mobilizuar ushtrinë për të ngritur kampe me tenda në afërsi të kufirit me Amerikën, ku edhe do të strehohen përkohësisht qindra azilkërkues që po kalojnë kufirin nga shteti i Nju Jorkut.

Rreth 250 azilkërkues po mbërrijnë çdo ditë në Montreal, qytetin më të madh të provincës frengjishtfolëse të Kanadasë, Kebek.

Në kampet e përkohshme do të akomodohen rreth 500 persona, në tendat me ngrohje dhe energji elektrike, ndërkohë që zyrtarët kanadezë të kufirit shqyrtojnë kërkesat e azilkërkuesve që për shkak të frikës së deportimit nga qeveria amerikane, kanë kthyer tashmë sytë nga Kanadaja.

Rreth 100 ushtarë u dërguan në Saint Bernard de Lacolle, përgjatë kufirit me Nju Jorkun për të ngritur tendat dhe ambientet e tjera të përkohshme. Ndërtimi i kampit nis vetëm një javë pasi Montreali shndërroi stadiumin e tij olimpik në një strehë për refugjatët që vinin nga SHBA.

Më shumë se 3300 persona kanë hyrë në Kebek nga 1 janari deri më 30 qershor. Ndërkohë që zyrtarët thonë se rreth 1200 vetë kanë hyrë në provincë vetëm në korrik, e rreth 90% e tyre janë nga Haiti.

Në maj, Donald Trump lajmëroi se SHBA do t’i jepte fund programit që siguronte përkrahje për qytetarët haitianë pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2010. Që atëherë, shumë azilkërkues janë përpjekur të sigurojnë statusin e refugjatit në Kebek.