Në Prishtinë, një histori e një lojtari futbolli që lufton me homoseksualitetin e tij

16.07.2017 17:37

Një lojtar futbolli në të 20-tat e tij ka problem me seksualitetin e tij.

Në Prishtinë, një histori e një lojtari futbolli që lufton me homoseksualitetin e tij

Tendencat e tij homoseksuale janë vërejtur nga trajneri i tij. Bëhet fjalë për Anglinë në vitet 80-të, një shoqëri shumë konservative dhe e gatshme mos ti pranojë homoseksualët.

Johnny Casells është protagonisti i filmit “Play the Game” i cili erdhi mbrëmë në kuadër të programit LetItBe në PriFilmFest në Prishtinë. Ky është program i veçantë i festivalit i cili mirëpret filma që kanë të bëjnë me tema mbi homoseksualët dhe lesbiket dhe komunitetin LGBT.
Filmi erdhi për audiencën prishtinase e cila duket se e pëlqeu lojën e filmit bardhë e zi.

“Më vjen mirë që i pëlqeu publikut. Ky është një film i shkurtër i cili është menduar të vazhdohet e të shndërrohet në një film të gjatë, në të ardhmen. Bëhet fjalë për një shoqëri shumë tradicionale ku një lojtar futbolli asnjëherë nuk mund të jetë edhe gay” tregon Sasha Nathwani, një prej regjisorëve të filmit.

“Play the Game”, filmi i metrazhit të shkurtër, tregon se një homoseksual mund të bëjë ç’të dojë, kur të dojë. Një lojë futbolli e suksesshme por pas saj një trajner që e detyron lojtarin kryesor të bëhet burrë, të shkojë me vajza, të bëhet i denjë.

“Është një temë e cila tregon një shoqëri armiqësore dhe e cila nuk e pranon seksualitetin dhe orientimet. Ky është një film që tregon se si ende ekzistojnë shoqëritë ku lojtarët e futbollit, e sidomos lojtarët me ngjyrë, nuk mund ta shprehin orientimin e tyre të vërtetë” tregon Sasha.
Sasha Nathwani dhe Aleksander Walters, dy regjisorët e filmit, këtyre ditëve po qëndrojnë në Prishtinë dhe kanë marrë pjesë edhe në një debat mbi komunitetin LGBT dhe se si filmat dhe kinematografia mund të kontribuojnë në pranimin e komunitetit gej dhe lezbik nga qytetarët.

Krejt në fund të filmit, lojtari që është gay nuk dëshiron ta jetojë jetën sipas rregullave të të tjerëve, dhe këtu përfundon filmi duke rezultuar pozitiv por edhe duke lënë dilemë se si mund të vazhdojë historia e këtij personi.

“Shpresojmë që në një mënyrë apo tjetrën kemi ndikuar në pranueshmërinë e komunitetit nga njerëzit, me anë të filmit. Kemi dëgjuar që edhe në Kosovë është pak a shumë situatë e njëjtë dhe shpresojmë që në të ardhmen do të ndryshojë gjendja” tregon Walters për KultPlus.

Malcolm Kamulete dhe Daniel Godward luajnë rolet kryesore në film. /KultPlus.com