Në librin e Thaçit, Rugova përshkruhet si pijanec, tash e fton familjen e tij në presidencë

Në librin e Thaçit, Rugova përshkruhet si pijanec, tash e fton familjen e tij në presidencë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot familjen e ish-presidentit tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, para pak çasteve e ka dekoruar me medaljen presidenciale familjen e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Dekorimi është bërë në zyrën e presidentit Thaçi.

Medalja Presidenciale Jubilare e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, i është dorëzuar gruas së presidentit Ibrahim Rugova. Të pranishëm në zyrën e presidentit Thaçi kanë qenë edhe familjarë të Rugovës.

Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova dekorohet me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë (Drejtpërdrejt)

Posted by Hashim Thaçi on Thursday, 24 May 2018

Vajza e Rugovës, Teuta, aktualisht deputete, e kishte votuar Thaçin për president, duke thënë se kjo ishte vazhdimësi e traditës së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, që të respektohen marrëveshjet dhe të bëhen kompromise të mëdha.

Por raportet e Thaçit me presidentin historik Ibrahim Rugova dhe familjen e tij nuk kanë qenë gjithmonë shumë të përshpirtshme.

Gjatë dhe pas luftës, Hashim Thaçi ishte një kundërshtar i rreptë dhe nuk hezitonte na manifestonte urrejtjen e tij ndaj liderit karizmatik dhe lëvizjes që ai drejtonte.

Por, me kalimin e viteve, më konretisht pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, Thaçi do të mbajë një qëndrim më të moderuar karshi figurës së presidentit Rugova. Krejt kjo me qëllim për të fituar poenë politikë dhe për të fituar më shumë mbështetje qytetare.

Rugova gjatë viteve 90 drejtonte lëvizjen paqësore, derisa Thaçi do t’i bashkohej luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës. Ndasitë mes dy grupimeve ishin mjaft të theksuara. Thaçi e Rugova do të takoheshin për herë të parë në Konferencën e Rambujesë ku do të vendosej për fatin e Kosovës pas luftës gati 2-vjeçare mes UÇK-së dhe ushtrisë e policisë serbe.

Takimet e Thaçit me Rugovën në periudhën e pasluftës do të jenë të rralla, kryesisht me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar që ishte prezent në Kosovë. Vrasja e eksponentëve të LDK-së në periudhën menjëherë pas luftës i kishte ftohur edhe më tej marrëdhëniet mes dy liderëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të fitojë për disa herë me radhë zgjedhjet në Kosovë, megjithatë i ishte dashur të bëjë koalicione të ndryshme. PDK e drejtuar nga Hashim Thaçi do të fitojë zgjedhjet vetëm pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rogova, me ç’rast Thaçi do të zgjidhej si kryeministër në disa mandate.

Tani Thaçi ka fjalë të mira për figurën e presidentit Rugova dhe shkon çdo përvjetor të përkulet pranë varrit të presidentit të ndjerë.

Sipas Thaçit, ish-presidenti Rugova u angazhua politikisht në kohën kur ‘pushteti i Millosheviqit e zhveshi Kosovën nga të gjitha të drejtat politike, administrative dhe kombëtare’.

“Brenda një periudhe dhjetëvjeçare udhëhoqi një politikë të rezistencës paqësore, duke shprehur vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, me orientim nga vlerat perëndimore”, kishte shkruar Thaçi.

“Pas çlirimit të Kosovës, presidenti Rugova ishte pjesë e të gjitha ngjarjeve dhe vendimeve të konsolidimit të shtetit të Kosovës, deri në momentin e vdekjes”, shkruan më tutje Thaçi.

Por, familja Rugova do të jetë pjesë aktive e politikës në vendin tonë. Është fillimisht i biri Ukë Rugova që do të bëhet deputet, kurse më pas edhe e bija Teuta Rugova.

Po ashtu djali më i madh i presidentit, Mendim Rugova ishte vitin e kaluar zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) e drejtuar së fundmi nga njeriu i PDK-së, ministri në ikje Ferat Shala.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në intervista të ndryshme shprehet se Rugova ka dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, andaj e cilëson si njeri të vlerave dhe kontribuues.

“Hashim Thaçi: Ju e shihni që në zyrën time e kam fotografinë e Presidentit Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacollit, Presidentes Jahjaga. Rolin e secilit e vlerësoj. Presidenti Rugova ka qenë Presidenti i parë i Kosovës së para pavarësisë, i angazhimeve, për padëgjueshmërinë e qytetarëve ndaj Serbisë, i kultivimit të raporteve të Kosovës me SHBA-të dhe botën perëndimore, dhe në të njëjtën kohë besoj që ka dhënë kontributin e vet, brenda mundësive dhe potencialeve të tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Prandaj, për mua mbetet një personalitet i njohjes së vlerave dhe kontributit për lirinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi në një intervistë.

I pyetur nëse do ta kishte të njëjtin sukses si lider po të ishte Rugova gjallë, Thaçi është shprehur: “Unë nuk mund të paragjykoj se si do ishte nëse Presidenti Ibrahim Rugova, nëse nuk do të vdiste, sikur që nuk mund të parashikoj, se çfarë do të ndodhë në Kosovë pas Hashim Thaçit”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka treguar për mardhëniet me ish-Presidentin historik, Ibrahim Rugovën, ai tha se bashkë me Rugovën kanë festuar një nga ditëlindjet e tij në Greqi, Athinë. Thaçi foli edhe për qëndrimet e Rugovës në Rambuje, tha se ishin pasive dhe ka dashur që mbledhjet të kryhen sa më shpejt.

“Kam festuar bashkë me presidentin Rugova ditëlindjen e tij në Greqi, më saktë në Athinë”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi në intervistën në T7 është pyetur edhe për atë që në librin për të të shkruar nga dy autorë anglez, Rugova paraqitet si pijanec kronik. Thaçi nuk ka pranuar ta komentojë këtë, duke thënë se libri është i autorëve, dhe jo i tij. Për atë çfarë Thaçi mendon për Rugovën, dhe të tjerët do ta bëjë të ditur kur ta botojë një libër të tij, nga shënimet personale që i ka mbajtur nga ngjarjet dhe takimet e rëndësishme.

Ndërsa, sa i përket rolit të Rugovës në Rambuje, Thaçi ka thënë roli i ish presidentit në këtë konferencë ka qenë pasiv, dhe ka dashur që mbledhjet të kryhen sa më shpejt.

“Qëndrimet e Rugovës në Rambuje ishin pasive, që mbledhjet të kryheshin shpejt”

Ish-drejtuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ndërroi jetë më 21 janar 2006 në orën 11:38 në rezidencën e tij në lagjen “Velania” të Prishtinës. Ai për disa muaj vuante nga kanceri në mushkëri, sëmundje të cilën vet e bëri publike gjatë një konference për gazetar.

Më 23 janar 2006 funerali me trupin e Presidentit Rugova u vendos në hollin e Kuvendit të Kosovës ku qytetarët për tri ditë rresht kishin mundësinë të bënin homazhe dhe t’i jepnin nderimin e fundit Presidentit. Kurse varrimi i tij u bë të enjten më 26 janar 2006.

Në varrimin e Presidentit morën pjesë shumë delegacione zyrtare nga e tërë bota. Ceremonia mortore u zhvillua në sallën 1 tetori në Prishtinë. Pastaj arkivoli u bart nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës tek varrezat e dëshmorëve në lagjen “Velania” ku Ibrahim Rugovës i’u bënë nderimet e fundit dhe aty gjeti vendin e përjetshëm.