Në kërkim të 1 milion emrave të hebrenjve të Holokaustit

Në kërkim të 1 milion emrave të hebrenjve të Holokaustit

Giselle Cycovicz (e lindur me mbiemrin Friedman) kujton babanë e saj, Wolf, si një burrë të ngrohtë, të mirë dhe religjioz.

“Ai ishte një akademik”, thotë ajo.

“Ai gjithmonë kishte një libër të hapur, duke studiuar Talamudin (përmbledhje e ligjeve çifute), por ai ishte gjithashtu një biznesmen dhe është kujdesur për familjen e tij”, vazhdon rrëfimin e saj.

Para luftës, Friedmanët kishin jetuar një jetë të lumtur dhe të rehatshme në një qytet Çekosllovak me një popullatë të madhe çifutësh në periferi të Hungarisë. Gjithë kjo ka ndryshuar pas vitit 1939, kur trupat pro-naziste hungareze, dhe më pas Gjermania naziste, pushtuan vendin, dhe gjithë çifutët u dërguan në Aushvic.

Giselle e kishte parë për herë të fundit babanë e saj disa orë pasi kishin arritur në një seksion të kampit të vdekjes, ku Wolf ishte caktuar në një forcë punëtore.

Gieselle, nëna dhe motra e saj kishin mbijetuar disi për pesë muaj në “ferrin” e Aushvicit. Ndërsa më vonë ajo kishte dëgjuar që në tetor të vitit 1944 “një burrë skeletor” kishte kaluar nga kampi i grave dhe kishte lajmëruar për çka do të ndodhte.

“Tregoju që 200 burra janë sjellë nga miniera e thëngjillit. Tregoju që nesër nuk do jemi më këtu”. Ai burrë ishte Wolf Friedman. Ai u vra të nesërmen.

Gjashtë milionë njerëz janë vrarë nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre në Luftën e Dytë Botërore. Në shumë raste qytete të tëra me popullatë çifute janë shfarosur, me asnjë të mbijetuar për të dëshmuar – ky plan i nazistëve për asgjësim total të çifutëve evropian, shkruan BBC.

Që nga viti 1954, memoriali i Izraelit për holokaust, Yad Vashem (“Një Memorial dhe një Emër”), ka punuar për të gjetur emrat e të gjithë viktimave, dhe deri tani ka mundur të identifikojë rreth 4,7 milionë.

“Çdo emër është i rëndësishëm për ne” thotë Alexander Avram, drejtor i sallonit Yad Vashem dhe Databazës Qendrore të Emrave të Viktimave të Holokaustit.

“Çdo emër që ne shtojmë në bazën tonë të të dhënave është një fitore ndaj nazistëve, ndaj qëllimit të nazistëve të zhdukin çifutët. Çdo emër është një fitore e vogël ndaj harresës”.

Instituti mbledh të dhënat në dy mënyra: nga informata prej atyre që dinë diçka për të vdekurit, dhe arkivat, prej listave naziste të dëbimit te ditarët e shkollave çifute.

Sot Gieselle ka shkuar t’i dedikojë emrit të babait të saj, rreth 73 vite pas vdekjes së tij, një pjesë të vogël në gjithë atë arkiv.

Stafi i trajnuar e ndihmon atë gjatë procesit për të regjistruar detajet e Wolfit në një faqe ku dokumentohen të dhënat biografike, si ku ka jetuar para luftës, çfarë ka punuar dhe anëtarët e familjes. Në fund nëse ka edhe një fotografi.

Vetëm pasi kalojnë dy të tretat e procesit ata pyesin për kohën e luftës dhe çfarë u ka ndodhur, kjo pasi ata janë më të interesuar për personin si person kush ishte para se të bëhej viktimë.

Kjo është sikur një gurë varri prej letrës, thotë institucioni, i cili shpreson të gjejë edhe emrat e mbetur dhe të vendosen në vendet e rezervuara.

Por me të mbijetuarit e fundit të cilët po vdesin, Yad Vashem po përballet me një garë me kohën për të parandaluar zhdukjen e më shumë viktimave pa lënë asnjë gjurmë.

“Unë personalisht do të doja të arrijmë këtë qëllim, që së paku ndër ata që vdiqën nuk do të ketë asnjë person të mbetet i panjohur. Është morali ynë thelbësor”, thotë Sara Berkowitz, menaxhere e Projektit të Rigjetjes së Emrave.