Në Iran gratë nuk mund të hipin mbi biçikleta, është imorale

Për liderin suprem Ali Khamenei, kjo gjë është në kundërshtim me rregullat e mirësjelljes. Një pjesë e vogël e zonjave kanë sfiduar ndalimin duke publikuar foto “rezistence”

Në Iran gratë nuk mund të hipin mbi biçikleta, është imorale

Në Iran është miratuar një ligj i ri që kufizon lirinë e femrave: lideri suprem i revolucionit islamik, ka vendosur të mos lejojë përdorimin e biçikletave nga ana e seksit femër.

“Gratë që hipin mbi biçikletë në publik, shpesh tërheqin vëmendjen e burrave dhe e nxisin shoqërinë në korrupsion moral dhe në pasiguri”, ka deklaruar Ali Khamenei, autoriteti politik më i lartë në vend. “Kjo është në kundërshtim me dëlirësinë e grave, ndaj është e nevojshme ta braktisin atë”.

Por ky ligj nuk është pranuar nga pjesa më e madhe e grave iraniane. Shumë femra, kanë përdorur rrjetet sociale për të ndarë foto apo videot e tyre të realizuara hipur mbi biçikleta.

Nisma drejtohet nga lëvizja “My Stealthy Freedom”, udhëheqësja e të cilës është Marih Alinejad, e cila ama jeton në Britaninë e Madhe, shkruan Gazeta-shqip.

Në Iran, gratë nuk kanë akoma mundësi të punojnë apo të udhëtojnë pa lejen e bashkëshortëve të tyre. Opozitarët e Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane, e kanë komentuar kështu situatën: “Kjo ‘fatwa’ dhe deklaratat e diktatorit iranian, që tregojnë të gjithë natyrën integraliste të mullahëve që kanë pushtetin në Iran, nuk sjell gjë tjetër veç se rrit talljen dhe indinjatën mes popullatës, në veçanti të grave”.

Një javë para se të shprehte qëndrimin e tij mbi përdorimin e biçikletës, Khamenei kishte theksuar pikërisht vizionin e tij të universit femëror. “Roli dhe misioni i saj, është të jetë nënë dhe të kujdeset për shtëpinë”. /Insajderi.com