Në grevë për bursa – nxënësit prishtinas bojkotojnë mësimin

Në grevë për bursa – nxënësit prishtinas bojkotojnë mësimin

Nxënësit e Gjimnazit të Specializuar Matematikor të Prishtinës kanë mbetur pa bursa. 115 nxënësve nga i gjithë vendi, të cilët ndjekin mësimin në këtë gjimnaz, Ministria e Arsimit u kishte premtuar bursa për çdo muaj në vlerë prej 50 eurosh.

Nëse MASHT-i nuk e kryen obligimin, që i takon edhe me vendim, nxënësit kanë paralajmëruar grevë, e cila do të fillojë qysh nesër.

“Nxënësit e gjimnazit të specializuar matematikor në Prishtinë, nesër bojkotojnë mësimin për shkak të mos realizimit të premtimit që u janë dhënë nxënësve. Nuk janë shpërndarë bursat mujore që janë të parapara me vendim të Ministrisë që është marrë në tetor të vitit 2016”, ka shkruar Elda Sahiti.

Nxënësit po i përkrah drejtori i Gjimnazit, Shemsi Berisha, i cili thotë se përveç paraleleve të klasave të X-ta, dy klasat e tjera XI dhe XII nuk i kanë marrë ende mjetet të cilat u takojnë.

Sipas një lajmërimi për media, thuhet se nxënësit kanë menduar që të hyjnë në grevë qysh nesër e deri në momentin që do të realizohet premtimi i dhënë./Insajderi.com