Në Gjermani, i sëmuri mendor plagos 7 persona me sopatë

10.03.2017 10:26
Në Gjermani, i sëmuri mendor plagos 7 persona me sopatë

Shtatë persona janë plagosur në një sulm me sëpatë në stacionin kryesor hekurudhor në qytetin e Dyseldorfit, në perëndim të Gjermanisë.

Sulmi ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të enjtes dhe një person është arrestuar. Bëhet fjalë për një 36-vjeçar nga vendet e ish-Jugosllavisë, i cili, sipas Policisë së Dyseldorfit, ka probleme psikologjike.

Policia tha se ai kishte sulmuar njerëzit pa dallim, por fatmirësisht askush nuk ka humbur jetën. Një person është plagosur rëndë dhe agresori po ashtu, pasi kërceu nga një urë ndërsa përpiqej t’i shpëtonte policisë. Ai po trajtohet tani në një spital.

Një numër i madh policësh janë dislokuar në zonë për të kërkuar për ndonjë të dyshuar tjetër të mundshëm. Trafiku hekurudhor u ndal fillimisht, por raportohet se tashmë ka rifilluar aktiviteti.

Motivi i sulmit është i paqartë dhe policia nuk po e përshkruan për momentin si një krim të lidhur me terrorizmin. Më herët, policia federale gjermane i kishte kërkuar publikut që të mos binte pre’ e spekulimeve.

Gjermania është në alarm të lartë për sulme terroriste që kur një xhihadist përplasi kamionin mbi një turmë njerëzish në një treg Krishtlindjesh në Berlin, në dhjetor, duke i marrë jetën 12 personave.