Në dorë të Serbisë – pritja e gjatë e Haradinajt në Francë

Në dorë të Serbisë – pritja e gjatë e Haradinajt në Francë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po kalon edhe ditën e pestë të paraburgimit në Francë, bazuar me një urdhër-arrest të Serbisë në vitin 2004. Me të njëjtin urdhër-arrest Haradinajn ishte arrestuar edhe në vitin 2005 në Slloveni, por për dallim nga Franca, në Slloveni e gjithë çështja ishte zgjidhur brenda 48 orëve, duke e lënë të lirë liderin e AAK-së.

Haradinaj në Slloveni ishte arrestuar me 17 qershor të viti 2015 dhe ishte liruar me të 19 qershor të atij viti, ndërkohë që në Francë u arrestua me 4 janar dhe ende vazhdon të mbahet i ndaluar.

Arsyeja sipas Gjykatës franceze ështe se duhet pritur kërkesa zyrtare e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt.

Haradinaj, sipas urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Serbi, akuzohet për torturim të serbëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve të tjera pakicë gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë. Ndërsa Kosova e ka të pamundur qasjen në listat e interpolit pasi që nuk është anëtare e kësaj organizate.

Gazeta serbe “Blic”, ka cituar Ministrinë e Drejtësisë në Serbi, të ketë thënë se i nevojiten dy deri në katër ditë për përkthimin e dokumentacionit. Tek pas kësaj, do të dërgohet kërkesa për ekstradim.

“Fjala është për një dokumentacion vëllimor të Prokurorisë dhe tani çdo gjë varet nga përkthyesit. Sapo të përfundojë kjo punë, do ta dërgojmë kërkesën për ekstradim, citon kjo gazetë të kenë thënë zyrtarë kabinetit të ministres serbe të Drejtësisë Nela Kuburoviq.

Për Aleancën për Ardhmëninë e Kosovës, ky ndalim është i paqartë dhe i pashpjegueshëm.

Zëdhënësi i kësaj partie, tha se ky arrestim është politik dhe nuk mund të prodhoj rezultat tjetër.

“Është shumë e paqartë pse ka një ndryshim kurse nga rasti i Sllovenisë me të Francës! Nuk po mund të spekuloj, por vet kryeministri serb ka shpërfaqur një qëndrim krejtësisht tjetër. Me sa mbaj mend në rastin e Sllovenisë ka pas thënë se ndalimi i Haradinajt është orientuar kundër Serbisë, ndërkaq tani po qëndron pas fletarrestit për Haradinajn! Duket që tash ka tjera agjenda ndaj Kosovës. Rasti i Haradinajt është politik dhe nuk mund të prodhoj rezultat tjetër, por qasja këtë herë është krejt e pashpjegueshme!”, ka thënë Nitaj për Insajderin.

Por ai nuk ka shpjeguar se për “cilat agjenda tjera” ndaj Kosovës bëhet fjalë dhe as nuk ka komentuar faktin se përse është vonuar dorëzimi i kërkesës për ekstradimin e Haradinajt në Francë.

Gjykata franceze ka mbajtur të ndaluar liderin e AAK-së me arsyetimin se është duke pritur kërkesën zyrtare nga Serbia për ekstradim.

Ish-kryeministri i Kosovës, që është shpallur i pafajshëm nga dy gjykime në Tribunalin e Hagës, për krime lufte në Kosovë, por fletë-arrestet ndaj tij mbeten aktive ende si në Slloveni ashtu dhe në Francë pasi që Kosova nuk mund të ketë qasje në listat e personave të kërkuar nga INTERPOL-i, si pasojë e mos anëtarësimit të vendit në këtë organizatë./Insajderi.com