Ndryshojnë tarifat për lejen e qëndrimit të shqiptarëve në Greqi

Ndryshojnë tarifat për lejen e qëndrimit të shqiptarëve në Greqi

Ditën e sotme në parlamentin grek ka kaluar me urgjencë një amendament i cili bazohet në ndryshimin e tarifave për lejet e qëndrimit të emigrantëve.

Kjo ka ndodhur pas paralajmërimit për penalizim nga KE për aplikimin e tarifave shumë të larta në krahasim me vendet e tjera anëtare të BE-së.

Nga ky ndryshim përfitojnë emigrantët shqiptarë në Greqi të cilët do të paguajnë gjysmën e tarifave për lejet e qëndrimit.

Konkretisht, amendamenti referohet në lejet e qëndrimit 5-vjeçare të rezidentit afatgjatë, leje qëndrimi për bashkim familjar, leje për studime, leje personale “aftotelis”, karta blu.

Nuk do ndryshojë kosto e lejeve të qëndrimit 10-vjeçare, për arsye të jashtëzakonshme dhe e brezit të dytë, vendime bazuar në legjislaturën greke për emigracionin. Sipas amendamentit, kostoja e lejeve nën udhëzimin e BE-së do të jetë 150 euro, rreth 50% më lirë se sa paguajnë emigrantët shqiptarë, disponues të tyre në Greqi.

Në të njëjtin amendament theksohet se emigrantët e papunë nga kriza ekonomike përfitojnë siguracion shëndetësor falas, si dhe shtetasit grekë, ndërsa për fëmijët mbi 18 vjeç do të kenë mundësinë të sigurohen nga prindërit si për lejen e qëndrimit ashtu dhe për siguracionin shëndetësor.