Ndryshimet e klimës rrisin kërkesën për energji

29.08.2017 23:33
Ndryshimet e klimës rrisin kërkesën për energji

Kërkesat për energji elektrike do të rriten në Europën Jugore, ndërsa ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më të qëndrueshme. Kjo bëhet e ditur në një studim të fundit dhe efekti kryesor do të jetë një bum i vërtetë në përdorimin e ajrit të kondicionuar.

Në kontrast, kërkesa për energji do të bjerë në vendet veriore të Europës, duke bërë që situata të jetë gjithnjë e më e polarizuar në kontinent, një situatë që sipas kërkuesve thellon nevojën për një integrim më të madh të furnizimeve me energji në Europë, me fokus të veçantë te shfrytëzimi gjithnjë e më i madh i burimeve të rinovueshme të energjisë.

Studiues të “Potsdam University” dhe “University of California”, Berkeley, thonë se vendet europiane tregojnë një tendencë të ngjashme, me rritjen e konsumit të energjisë në plus apo minus 22 gradë Celsius.

Sipas rezultateve, kërkesa totale për energji elektrike në Europë pritet të mbetet thuajse konstante, por në vende të veçanta ajo pritet të bëhet e polarizuar, me vendet në veri që do të shënojnë rënie dhe ato në jug që do të shënojnë një rritje, një tendencë kjo që nuk vihet re vetëm në Itali, madje për arsye që kërkuesit thonë se janë të paqarta.

Autorët paralajmërojnë se polarizimi do të jetë më i fuqishëm në fund të shekullit, në një skenar sipas të cilit nuk është bërë asgjë për të luftuar ngrohjen globale. Në këtë rast, autorët thonë se kërkesa mesatare e përditshme për energji elektrike në Spanjë e Portugali do të rritet me 5-7 për qind, deri në fund të shekullit.

Sipas kërkuesve, panelet diellore pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në Europën Jugore, një zhvillim ky që mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve dhe zbutjen e kostove. Një nevojë më e madhe për energji për sistemet ftohëse ka gjasa të koinçidojë me kushtet që favorizojnë prodhimin e energjisë, ditët me diell.