Ndotje rekord në Kinë

Ndotje rekord në Kinë

Një filmim 12-sekondësh që tregon me lëvizje të përshpejtuar mbushjen e Pekinit me smog është duke qarkulluar me shpejtësi në internet. Vala më e fundit agresive e ndotjes në kryeqytetin kinez nisi të premten dhe pritet të vazhdojë deri në 5 janar

Pamjet i xhiroi një inxhinier britanik, i cili jeton në Pekin prej 13 vjetësh. Ndotja në qytet ka mbërritur sërish nivele të rrezikshme aq sa autoritetet lokale vendosën të shpallnin alarmin portokalli si atje, ashtu dhe në Tianjin.

Episode të tilla janë gati të zakonshme për veriun e Kinës, sidomos gjatë të ftohtit të hidhur të dimrit, kur kërkesa për energji, pjesa më e madhe e të cilës përmbushet me qymyrguri, rritet në mënyrë drastike.

Si të mos mjaftonte smogu, rajonet veriore e ato qendrore të vendit do të përballen, sipas parashikimeve të Qendrës Kombëtare Metereologjike, edhe me një mjegull të dendur, që në disa zona do ta ulë dukshmërinë në më pak se 50 metra.

Kina është në vitin e trete të “luftës me ndotjen”, qëllimi i së cilës është zbutja e dëmit që i është bërë qiellit të saj, tokës dhe ujit pas dekadash të tëra rritjeje të furishme ekonomike. /Insajderi.com