Ndodh befasia në Londër, eliminohet Roger Federer

18.11.2017 20:19
Ndodh befasia në Londër, eliminohet Roger Federer

David Goffin bën ndeshjen e jetës dhe eliminon në ATP World Tour Finals, pikërisht rekordmenin e këtij turneu dhe njëkohësisht edhe favoritin kryesor të tij, Roger Federer, duke u kualifikuar në mënyrën më të paimagjinueshme, për në finalen e madhe të turneut përmbyllës, të 8 tenistëve më të mirë të sezonit.

Është vërtet diçka e pabesueshme për një tenist që mezi kishte bërë dy sete bashkë, në 16 setet e luajtur ndërmjet tyre, ekzaktësisht 3 javë më parë, në gjysmë-finalen e Bazelit. Ndaj 26-vjeçarit belg, Roger Federer humbi vetëm tre game gjithsej, në një takim që zgjati vetëm një orë lojë, duke e çuar në 6-0 bilancin e përgjithshëm ndërmjet tyre.

Goffin, që e siguroi kualifikimin për në fazën gjysmëfinale vetëm të premten pasdite, pas suksesit ndaj austriakut Dominic Thiem, humbi 6-2 setin hapës dhe gjithkush me siguri në ato çaste ka menduar se Roger nuk do të kishte kurrfarë problemi për të mbyllur takimin në vetëm dy sete.

Në ‘O2 Arena’, pas humbjes së setit të parë, numri 8 i botës intensifikoi sulmet dhe filloi ta godasë topin përpara kohe, gjë që e vuri menjëherë në vështirësi 36-vjecarin nga Bazeli. Për rrjedhojë tenisti i parë belg në historinë e ATP World Tour Finals, e theu në shërbim numrin 2 të botës, duke kryesuar në vijim me shifrat 3-0.

Të vetmen mundësi për të rikuperuar, veterani helvet e pati në game-n e 7, ndërsa edhe në setin final u përsërit në mënyrë identike po e njëjta situatë. Goffin i rrëmbeu shërbimet tenistit zviceran, në game-n e 3-të dhe pasi anuloi në game-n pasardhës një mundësi për kundër-break, numri 8 i botës administroi në mënyrë të shkëlqyer avantazhin, duke humbur vetëm një pikë në shërbim, në 3 radhëtt e tij.

Përfundimisht, mes habisë së gjithë spektatorëve në kryeqytetin britanik, tenisti belg kompletoi një fitore të madhe, duke mbyllur krejt takimin me rezultatin 2-6, 6-3, 6-4, në 1h 47′ lojë. Goffin, që në mesjavë u keqtrajtua 6-0, 6-2 nga Grigor Dimitrov, u bë i pari tenist që në vitin 2017 mund gjatë të njëjtit turne dyshen Nadal-Federer.

Mbi të gjitha, 26-vjecari nga Liezhi, që nuk kishte asnjë fitore në karrierë si ndaj Rafës ashtu edhe ndaj tenistit helvet, u bë i pari tenist që nga viti 2009, që mund numrat 1 dhe 2 të botës në turneun përmbyllës të 8 lojtarëve më të mirë të sezonit, vit kur edhe atëherë e pësonte pikërisht dyshja Nadal-Federer, pasi tenisti rus Nikolay Davydenko eliminoi fillimisht tenistin spanjoll në fazën e grupeve dhe më pas triumfoi në gjysmëfinale ndaj numrit 1 të botës, asokohe Roger Federer.