Ndikimi i dialogut në zhbërjen e strukturave paralele në veri

Ndikimi i dialogut në zhbërjen e strukturave paralele në veri

Dialogu me Serbinë, i filluar pesë vjet më parë, nuk ka ndikuar në shuarjen e strukturave paralele në Kosovë, por përkundrazi i ka forcuar ato. Kështu mendojnë përfaqësuesit e opozitës dhe ata të shoqërisë civile, ndërsa në Qeverinë “Mustafa” thonë se kjo Qeveri ka bërë më së shumti për zhbërjen e paraleleve.

Këto struktura janë ende aktive si në komunat veriore ashtu edhe në disa komuna në qendër dhe në lindje të Kosovës.

Qeveria në Prishtinë thotë se dialogu nuk do të vazhdojë në pafundësi, sidomos jo nëse nuk zbatohen marrëveshjet e deritanishme. Qeveritarët e përsërisin qëndrimin e tyre se nuk do të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe pa u shuar strukturat paralele, shkruan gazeta “Zëri”.

Në anën tjetër përfaqësues të subjekteve opozitare dhe analistë politikë thonë se vazhdimi i dialogut duhet të kushtëzohet me shuarjen e strukturave paralele, megjithëse shprehen skeptikë nëse dialogu duhet të vazhdohet.