Ndëshkimi trupor, mënyrë disciplinimi apo dështim i rradhës?

Ndëshkimi trupor, mënyrë disciplinimi apo dështim i rradhës?

Të dashur lexues, dinamika e jetës që bëjmë sot është e ndryshme nga ajo që është zhvilluar një dekadë më parë, dhe këto dinamika të reja të jetës na kërkojnë të përmbushim shumë role njëkohësisht. Ndër të gjitha rolet që kryejmë, prindërimi duket se paraqet sfida të veçanta, andaj do të dëshiroja të ndaja me ju disa nga pyetjet të cilat më parashtrohen dhe që besoj se meritojnë vëmendje të veçantë. Njeriu si qenje sociale, ndjehet i përmbushur atëherë kur e ndjen se tiparet e dëshirueshme (edukata, arsimimi, mirësjellja) kultivohen nga pasardhësit e tyre, sepse kjo u siguron ndjesinë e vazhdimësisë, dhe njëkohësisht këto janë atribute të cilat secili prind synon t’i kultivojë tek fëmijët e tyre. Në këtë rrugëtim emocional të rritjes së fëmijëve, shpesh kalohet edhe në “lugina të mjegullta” kur ne hasim në rezistencë për të punuar më fëmijët lidhur me edukimin, sjelljet, principet dhe disciplinimin e tyre. Në rastet kur nuk arrihet të gjendet një kompromis i lehtë, atëherë ndodh që prindërit apo kujdestarët e tyre, e zgjedhin ndëshkimin trupor si mjet për të realizuar planet të cilat synojnë mirëqenjen e fëmijës.

Ndëshkimi trupor është një term zëvendësues i cili nënkupton rrahjen si mjet edukimi, apo mënyrë e arritjes së një rezultati tek fëmijët. Ndëshkimi trupor është përdorur si mënyrë përmes së cilës është synuar të arrihet edukimi i fëmijës, atëherë kur fëmijët kanë manifestuar sjellje apo interesa të cilat nuk kanë qenë konform kërkesave të prindit apo kujdestarit, apo mund të kenë pasur karakter kundërshtues. Ndëshkimi trupor shpesh është zbatuar edhe atëherë kur fëmijët priren të ndjekin prioritete apo motive të cilat nuk konsiderohen si parësore nga ana e prindërve apo kudjestarëve dhe kjo mospërputhje bëhet evidente dhe bëhet pengesë për arritje të qëllimeve të vendosura nga ana e prindërve. Në këto raste fëmijët mund të refuzojnë qoftë përmes veprimeve apo komunikimit ndjekjen e rrugëve të rekomanduara nga prindërit, atëherë prindërit ndodh që zgjedhin ndëshkimin trupor si mjet për të detyruar fëmijët të kuptojnë atë se çfarë është më e mirë për ta, dhe më konkretisht e shohin ndëshkimin trupor si mjet edukues për fëmijët.

Çka është ndëshkimi trupor?

Ndëshkimi trupor synon të shkaktojë dhimbje fizike apo trupore tek personi (fëmiu në këtë rast), vuajtje dhe turpërim, dhe në të shumtën e rasteve ndëshkimi trupor përveq se realizohet në ambientin ku fëmija jeton, ai mund të realizohet edhe në shkolla apo jashtë tyre. Me ndëshkim trupor nënkuptohet çdo veprim i cili synon dhimbjen, më konkretisht goditjet me qëllim të rivendosjes së një sjellje të caktuar.

Fatkeqësisht ndëshkimi trupor akoma mbetet si mënyrë “ligjore” e disciplinimit të fëmijëve apo adoleshentëve në shumë vende të botës, ndërkaq në vendet e botës ku të menduarit radikal është pjesë e funksionimit të së përditshmes së komunitetit të gjerë, ndëshkimi trupor edhe promovohet.

A ka funksionuar ndëshkimi trupor si mjet discipline përderisa është zbatuar në mënyrë të vazhdueshme?

Ndëshkimi trupor si mjet disciplinimi i fëmijëve dhe mënyrë abuzive e trajtimit të tyre fatkeqësisht është dukur në aspektin sipërfaqësor se ai është duke i dhënë rezultatet. Fëmijët dhe adoleshentët e rritur nën sistemin e funksionimit ku ndëshkimi trupor ka qenë mjet disciplinimi, e kanë ndërlidhur autoritetin (pasiqë përsonat të cilët e kanë realizuar ndëshkimin trupor kanë qenë personat me ndikim për fëmijët) me dhimbjen fizike dhe ky kombinim ka ndikuar që fëmiu të përjetojë frikë dhe të zbatojë detyrimisht urdhëresat e pranuara nga prindi/kujdestari me ndikim, në të kundërtën ndëshkimi trupor do të zbatohet, por kjo mënyrë nuk ka dhënë rezultate afatgjate.

Në këndvështrim të parë, fëmijët raportojnë se ata kanë përjetuar ndëshkime të njëpasnjëshme trupore, dhe kjo ka ndikuar që ata të mos e ndjejnë më ndëshkimin si ndëshkim aktual por si mënyrë e trajtimit të tyre andaj sa i përket reagimeve të tyre, ata nuk i kanë ndryshuar qëndrimet si dhe i kanë vazhduar të aplikojnë sjelljet të cilat për të cilat ata fillimisht e kanë përjetuar ndëshkimin trupor. Ballafaqimi i vazhdueshëm me ndëshkim trupor si mjet disciplinimi e vështirëson funksionimin e fëmijës/adoleshentit duke ndikuar në mënyrë drastike në vetëvlerësimin dhe vetëbesimin e fëmijës, dhe në këtë mënyrë, sjelljet e rradhës të cilat i aplikon fëmiu/adoleshenti, pas së cilave pason ndëshkimi trupor, nuk rrallohen, sepse tani e tutje, ai thjesht “s’ka asgjë për të humbur”, dhe kjo mënyrë e të menduarit e stimuluar nga vetë prindi/kujdestari e përkeqëson dukshëm jetën emocionale të fëmiut por nuk e ndryshon sjelljen e tij.

Në rend të dytë, figurat me ndikim të fëmijëve janë prindërit apo kujdestarët e fëmijëve dhe duke pasur parasysh faktin se fëmijët ndajnë të njejtin ambient me ta, fëmijët fillojnë t’i përdorin modelet e tyre të sjelljes, dhe me rritjen e tyre, ata zhvillojnë duke marrur më shumë nga këto modele. Duke pasur parasysh se fëmijët marrin atë se ҫfarë u servohet paraprakisht, një ambient i cili e promovon dhunën fizike si mjet të zgjidhjes së problemit, siguron që ai mjet poashtu do të përdoret edhe nga fëmiu i cili paraprakisht ka qenë viktimë e ndëshkimit trupor dhe aplikimi i sjelljes së dhunshme nga ana e fëmijëve ndaj fëmijëve të tjerë apo në mjedise të tjera sociale, është treguesi kryesorë që fëmiu është rritur në një ambient ndaj të cilit është përdorur dhuna si mjet disciplinimi apo trajtimi.

Aplikimi i ndëshkimit trupor është studiuar për kohë të gjatë dhe ajo çka është gjetur është se ndëshkimi trupor jo që nuk ndikon në aplikimin e sjelljeve të përzgjedhura nga prindërit apo kujdestarët, por e rrit potencialin e përdorimit të atyre sjelljeve të cilat kanë krijuar qëndrueshmëri ndaj ndëshkimit trupor dhe në këtë mënyrë rritet edhe intensiteti i atyre sjelljeve ku prejë e sjelljes së fëmijëve mund të bijnë fëmijët e tjera apo të shkaktohen dëme sociale në masë të konsiderueshme (në njerëz, kafshë, pronë), duke shkaktuar kështu delinkuencë tek të rinjët.

Është e rëndësishme të theksohet se prindërit abuzues kthehen në viktima të abuzimit pasiqë fëmijët të cilët janë rritur duke u ndëshkuar përmes ndëshkimit trupor në vazhdimësi, ata i kujtojnë këto përvoja traumatike dhe i internalizojnë ato (i përbrendësojnë, i fusin thellë në përvojat e tyre) dhe me këtë rast fëmijët/adoleshentët përjetojnë averzion ndaj figurave autoritare të cilat me rritjen e fëmijëve, bëhen vetë viktimë e tyre. Nuk janë të pakëta rastet kur fëmijët të cilët kanë qenë viktimë e ndëshkimit trupor, kanë aplikuar ndëshkimin trupor edhe tek prindërit/kujdestarët e tyre.

A përdoret akoma ndëshkimi trupor?

Fatkeqësisht, pavarësisht se argumentet e lartëshkruara promovohen në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha mjetete e komunikimit, fëmijët/adoleshentët janë shpesh viktimë e ndëshkimit trupor nga personat me ndikim për ta (prindërit apo kujdestarët), të cilët më pas i sjellin fëmijët tek psikologu në mënyrë që të korrektohet sjelljet të cilat prindërit paraprakisht kanë synuar ti ndryshojnë ato duke e përdorur ndëshkimin trupor si mjet. Duhet të mendohet se ndëshkimi trupor është shkelje e të drejtave të fëmijëve si dhe e të rriturve si dhe një veprim i tillë është i ndaluar me ligj.  Forma të tilla të ndëshkimit trupor viteve të fundit kanë pasur karakter medial kur në shkolla të ndryshme është aplikuar ndëshkimi trupor, ndërkaq në thelb të saj, vërehet se kjo lloj mënyre e të “mësuarit” ka hapur rrugë për krijimin e barrierave të reja komunikimi, përkeqësim të sjelljes dhe potencialisht traumatizim të fëmijëve duke pasur ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e mekanizmave të lidhjes emocionale me prindin apo kujdestarin.

Tani lexues të dashur, pasiqë u janë ofruar shumë informata rreth qështjeve lidhur me ndëshkimin trupor, mendoj që për juve është bërë e lehtë të kuptohet se ndëshkimi trupor është një dështim i rradhës, një përpjekje barbare e nxitjes së fëmijës të sillet brenda normave dhe rrethit në të cilin jetojmë. Është me rëndësi t’i parashtrojmë vetes pyejtjen: “A stimulohet mirësjellja me dhunë?”, dhe jam i sigurtë se të njejtin mendim do të ndani me mua në këtë qështje. Dhuna, dhimbja fizike dhe turpërimi nuk mund të sjellë mirësjelljen si dhe nuk mund të ndihmoj në asnjë rrethanë që fëmiu/adoleshenti të përcillet me kujtime të lumtura gjë që zbeh thellësisht lidhjet emocionale të fëmijës/adoleshentit me të rriturit, e zbret mundësinë që femiju të aplikojë sjelljet e dëshiruara nga prindi apo kujdestari dhe së fundmi, ndëshkimi fizik siguron që të ndërtohet një personalitet i cili në të ardhmen e tij, nuk garanton se nuk do të përdor ndëshkimin fizik poashtu si mjet edukimi.

Mr.Sc. Visar Sadiku – Specialist i Psikologjisë Klinike

Ky material/botim është financuar nga Qeveria e Suedisë përmes projektit Protectchild që zbatohet bashkërisht nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) dhe Save the Children në Kosovë. Përgjegjësinë për përmbajtjen e këtij materiali e mban plotësisht hartuesi. Qeveria e Suedisë nuk ndan medoemos pikëpamjet dhe interpretimet e shprehura në këtë botim.