Ndeshja Shqipëri-Itali: Ndalohen tifozët “Illyria Elite”

Ndeshja Shqipëri-Itali: Ndalohen tifozët “Illyria Elite”

Tifozët e Kombëtares shqiptare, “Illyria Elite” nuk do të lejohen në stadium në ndeshjen Shqipëri-Itali.

Policia e Shtetit dha një pasqyrë të plotë të masave të sigurisë përpara, gjatë dhe pas ndeshjes me Italinë, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, mbrëmjen e së hënës në orën 20:45.

Policia njofton tifozët dhe sportdashësit që kanë siguruar një biletë se hyrja do të nisë prej orës 17 të së hënës. Tifozët duhet të kenë me vete biletën dhe kartën e identitetit, ose pasaportën. Nga ana e policisë kërkohet mirëkuptimi i tifozëve që të mos e lënë për në minutat e fundit futjen në stadium.

“Nuk do të lejohet asnjë person që të hyjë në stadium me fishekzjarre, flakadanë, sende të forta, sende metalike, monedha apo çelësa, parulla që janë të ndaluara etj”, shkruhet në komunikatën e Policisë së Shtetit, shkruan Top Channel.

Një paralajmërim i fortë vjen nga shërbimet e policisë, nga ana e të cilave nuk do të lejohet hyrja në stadium e asnjë banderole dhe asnjë personi nga tifogrupi “Illyria Elite”, të cilëve nuk u janë shitur bileta nga Federata Shqiptare e Futbollit, pasi kanë krijuar probleme në ndeshjen Itali-Shqipëri në Palermo, më 24 mars të këtij viti 2017.

Ndërkohë, nga Italia pritet të ndjekin ndeshjen në stadium rreth 1.200 tifozë italianë. Prej tyre, rreth 500 pritet të vijnë enkas nga vendi fqinj, ndërsa rreth 700 tifozë pritet të jenë shtetas italianë me banim të përkohshëm në Shqipëri. /Express/