Ndeshja Kosovë-Islandë, dyfishohen çmimet e biletave në tregun e zi

Ndeshja Kosovë-Islandë, dyfishohen çmimet e biletave në tregun e zi

Pak ditë pasi Federata e Futbollit të Kosovës, ka plasuar në treg biletat për ndeshjen e 24 marsit, në mes të përfaqësueses së Kosovës dhe Islandës, çmimet e të cilave ishin nga 7, 15, 20, 55 e 110 euro, shumë tifozët kanë mbetur  të zhgënjyer pasi që nuk kanë gjetur bileta.

Biletat ilegalisht kanë filluar të shiten përmes një grupi në Facebook.

Grupi i quajtur “Kosovë – Islandë Bileta”, u kërkon të interesuarve që të shkruajnë privat në “chat” ku bëhet “pazari” dhe takimi për shitblerje të biletave.

Çmimet për tribunat A shkojnë deri në 100 euro, ndërkohë që për këtë tribunë Federata e Futbollit të Kosovës përmes uebfaqes së saj zyrtare ka njoftuar se çmimi është 55 euro.

Në tribunat C1 dhe D4 biletat po shiten deri në 35 euro, ndërsa çmimi real i tyre në faqen zyrtare të FFK-së është 15 euro.

E njëjta situatë pati ndodhur edhe para ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë,  që përmes tregut të zi çmimet e biletave shkonin deri në 100 euro, derisa në treg nuk ishin gjetur fare biletat e 20 eurove, që ishin më të kërkuarat. /Insajderi.com