Ndeshja e dytë me Lazion, sërish vlerësime për Strakoshën

Thomas Strakosha vazhdon të bëjë mirë me Lacion, duke marrë vlerësime pozitive nga mediat italiane edhe pas ndeshjes së dytë si titullar në fitoren 2-0 përballë Empolit të dielën.

Ndeshja e dytë me Lazion, sërish vlerësime për Strakoshën

E përditshmja më e madhe sportive përtej Adriatikut, “Gazzetta dello Sport”, e vlerëson 21-vjeçarin e Kombëtares shqiptare me notën 7, një ndër më të lartat e ndeshjes, sikurse “Corriere dello Sport” dhe “Il Messaggero”. Ndëkohë “Sportmediaset” i vë notën 6.5, duke e cilësuar si pozitive ndeshjen e “gardianit”.

Të njëjtën vlerësim i bën edhe portali “Calciomercato”, me këtë koment: “Në ndeshjen e parë si titullar në shtëpi, impenjohet pak derisa Gilardino ia vë reflekset në provë. Për pak sa nuk gabon në një rivënie dhe bën një dalje të pamenduar, duke u kërkuar falje tifozëve. Tregohet vendimtar ndaj Puçarelit”.

Derisa 6.5 është nota që i vë edhe portali “Tuttomercatoweb”.

“E thyen akullin përballë Puçarelit, është i zoti dhe me fat kundër Gilardinos, duke fituar lotarinë në një rast që sulmuesi rrallë gabon nga ai pozicion. Emocionet bëjnë punën e tyre duke e detyruar të gabojë në fund të pjesës së parë, fatmirësisht pa pasoja. Në pjesën e dytë bën një dalje të gabuar dhe kërkon falje, por e korrigjon me një pritje vendimtare përballë Puçarelit. Rritet në detyrë”, vlerëson “Tuttomercatoweb”. /Insajderi.com