Ndërpritet seanca për 53 milionët e Bechtel Enkas

Ndërpritet seanca për 53 milionët e Bechtel Enkas

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për 7 orë kanë diskutuar për 53 milionë eurot të cilat Qeveria e Kosovës do t’ia paguajë kompanisë Bechtel Enka.

Pas këtij debati nuk pat ndonjë rezultat edhe pse deputetët kanë krijuar një grup për harmonizimin e pikave për një Rezolutë për ta dërguar pastaj të njëjtë në votim.

Deputetët u pajtuan që seanca për të enjten të ndërpritet, por nuk janë marr vesh se kur do të vazhdojë.

Edhe pse u hodh në votim se kur do të vazhdojë, seanca nuk u caktua pasi që nuk kishte kuorum.

Kujtim Shala që kryesonte seancën tha se kjo mbetet në dorë të kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli të vendosë për vazhdimin e saj.

Interpelanca e sotme është thirrur nga LDK-ja në të cilën është diskutuar për 53-milionëshin e kompanisë “Bechtel-Enka”.

Deputetët e pozitës dhe të opozitës kanë akuzuar njëri-tjetrin për mungesë të përgjegjësisë. Përderisa, opozita ka kërkuar publikimin e nënshkrimit të kontratës me “Bechtel-Enka”-n.

Është vërejtur përplasje ndërmjet deputetëve dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Ky i fundit disa herë u është drejtuar deputetëve me fjalët: “A po kuptoni, a po merrni vesh?”.