Ndërpritet qarkullimi i disa autobusëve të rinj, punëtorët në grevë

Problemet në ndërmarrjen “Trafiku Urban” kanë eskaluar. Punëtorët janë futur në grevë, duke kundërshtuar bordin që mori vendim për shkarkimin Halil Mustafaës, ish- kryeshefit të ndërmarrjes. Vetëvendosje e njeh për kryeshef Mustafën, por ai nuk ka qasje në llogari bankare për të paguar pagat.

Ndërpritet qarkullimi i disa autobusëve të rinj, punëtorët në grevë

Autobusët e linjës 4 të ndërmarrjes komunale “Trafikut Urban” , kanë qarkulluar me vështirësi gjatë ditës së sotshme.  Madje, për dy orë të tëra është ndërprerë në tërësi qarkullimi. Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zyrtarja për Informim në Komunën e Prishtinës, Miranda Mullafazliu.

“Për dy orë linja 4 ka qenë të bllokuar për shkak të grevës së punëtorëve”, ka thënë Fazliu

Ilmi Gashi, kryetari i sindikatës së pavarur të “Trafikut Urban”, ka treguar arsyen se pse punëtorët janë futur në grevë.

Punëtorët, sipas tij, protestojnë kundër një vendimi të anëtarëve të bordit të kësaj ndërmarrje komunale.

“Tre anëtarët e bordit – Avdi Ferri, Bashkim Ibrahimi, Fllanza Pula në mënyrë tinëzare kanë bllokuar llogarinë bankare”, ka thënë Gashi, për Insajderin. Sipas tij, bllokimi i llogarisë ka çuar deri tek pamundësia për të mbushur me naftë autobusët si dhe për të paguar pagat e punëtorëve.

Gashi ka pohuar se nëse deri nesër nuk zhbllokohet llogaria bankare që do të mundësonte kryerjen e shërbimeve, atëherë do të eskalojë situata. Nuk ka shpjeguar se çfarë nënkupton me këtë paralajmërim.

Insajderi ka kontaktuar Bashkim Ibrahimin, anëtar i bordit të kësaj ndërmarrje. Ai ka thënë se bordi nuk ka marrë kurrfarë vendimi për bllokim të llogarisë bankare të ndërmarrjes.

“Nuk është bllokuar llogaria bankare e ndërmarrjes. Në momentin që bordi ka shkarkuar ish-kryeshefin, atij automatikisht iu ka bllokuar qasja në llogarinë bankare”, ka pohuar Ibrahimi.

Sipas tij, qasje në llogarinë e ndërmarrjes ka Hafir Hamiti, ushtrues detyre i kryeshefit të ndërmarrjes.

“Hamiti ka te drejte te nënshkruaj pagesat dhe pagat konform ligjit”, ka shtuar Ibrahimi.

Por, vendimi i bordit të ndërmarrjes nuk është përkrahur nga autoritetet komunale të Prishtinës. Shpend Ahmeti, kryetar e Dardan Sejdiu, nënkryetar e patën quajtur politik vendimin e këtij bordi për shkarkimin e Halil Mustafës nga posti i kryeshefit të ndërmarrjes “Trafiku Urban”./Insajderi.com