Ndërkombëtarët kërkojnë nga Thaçi që ta unifikojë skenën politike

27.02.2016 08:15
Ndërkombëtarët kërkojnë nga Thaçi që ta unifikojë skenën politike

Hashim Thaçi ka pranuar vetëm tri urime për zgjedhjen e tij në krye të Shtetit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Austria kanë përshëndetur zgjedhjen e Thaçit në krye të vendit. Ata, kanë kërkuar që presidenti i ri të punojnë për unifikimin e popullit dhe spektrit politik.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë Angelika Viets ka uruar që Hashim Thaçi, të ketë fuqinë për të bërë bashkë qytetarët.

‘Sot, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Presidentin e ri të Republikës së Kosovës. Zgjedhja e Presidentit është një procedurë qendrore në demokraci. Ishte inkurajuese të shohësh të gjitha partitë që përfaqësohen në Parlamentin e demokracisë më të re në Europë që të debatojnë”, ka thënë ajo.

Diplomatja gjermane ka kritikuar opozitën për dhunën dhe përpjekjet e saj për të bllokuar Kuvendin.

“Për fat të keq, debati nuk ishte i qetë. Sërish, kishte përpjekje për të bllokuar Kuvendin me dhunë. Do të doja t’i përsëris thirrjet e mia të mëhershme dhe të kërkoj nga të gjithë përfaqësuesit e popullit që të përkrahin procedurat demokratike në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Urojmë që Presidenti i ri të ketë mençurinë dhe fuqinë për të bashkuar të gjithë kosovarët”, thuhet në deklaratën e Viets.

Edhe ambasadori i Amerikës, Greg Delawie dhe Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, kanë uruar Hashim Thaçin për zgjedhjen në postin e presidentit të Republikës së Kosovës, duke bërë thirrje për pajtim në skenën politike kosovare.

“Urime Hashim Thaçit të Republikës së Kosovës për fitoren në zgjedhjen e sotme të presidentit. I brengosur për dhunën që e shoqëroi zgjedhjen e tij, bëj thirrje për pajtim”, ka shkruar ministri i jashtëm austriak,Kurz.

Ambasadori amerikan në Kosovë ka uruar Thaçin për postin e ri, si president i Republikës së Kosovës.

“SHBA-të urojnë për zgjedhjen e presidentit të ri dhe presim që të vazhdojmë marrëdhënien tonë të shkëlqyeshme me popullin e Kosovës”, ka thënë Delawie.