NATO: Sulmet kibernetike janë rritur për 60 për qind

14.03.2017 11:01
NATO: Sulmet kibernetike janë rritur për 60 për qind

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se aleanca ka parë rritje prej 60% të “incidenteve kibernetike” gjatë vitit 2016, krahasuar me vitin paraprak, dhe ka vlerësuar se “sulmet kibernetike janë kërcënim në rritje”.

“Sulmet kibernetike janë kërcënim në rritje dhe NATO-ja po bën progres të mirë në mbrojtje kibernetike. Në vitin 2016 ekspertët e NATO-s janë marrë mesatarisht me 500 incidente kibernetike në muaj, që paraqet rritje për 60% nga viti paraprak. Ne i kemi njohur sulmet kibernetike si sektor operacional, së bashku me ato tokësore, detare dhe ajrore. Aleatët e NATO-s janë përkushtuar për përmirësim të mbrojtjeve të tyre kibernetike”, tha Jens Stoltenberg gjatë një takimi me gazetarë dje në Burksel, duke e paraqitur raportin vjetor për NATO-n.

Një ekspert i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se “incidentet kibernetike” përfshijnë sulme direkte dhe rastet ku kompjuterët janë infektuar me viruse, me ç’rast ka pasur pengesa në punën e tyre, për shkak të “konfigurimit të keq”.

Një zyrtar i NATO-s, që ka folur në kushte të anonimitetit, i tha Radios Evropa e Lirë se është vështirë të gjurmohen të gjitha sulmet ose incidentet armiqësore për të përcaktuar nëse ato janë shkaktuar nga individët ose organizatat.

Por, ky zyrtar tha se shumë aleatë të NATO-s kanë sugjeruar se një numrë i sulmeve kibernetike të rëndësishme kanë ardhur nga Rusia.

Ai tha se sofistikimi i sulmeve kibernetike nga Rusia gjatë vitit 2016 dhe tipi i informacioneve që ishin në shënjestër të tyre, sugjerojnë se ato nuk ishin vepër e hakerëve privatë.

Në samitin e NATO-s në Varshavë në vitin 2016, aleanca pat konkluduar se hapësira kibernetike është një fushë që duhet të mbrohet në mënyrë efikase, ashtu sikur edhe forcat ajrore, detare dhe tokësore të aleancës, shkruan REL.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po ashtu, tha se vendet anëtare të aleancës kanë paralajmëruar përmirësim të mbrojtjeve kundër sulmeve kibernetike.