NATO-ja siguroi stabilitetin në Ballkan

NATO-ja siguroi stabilitetin në Ballkan

24 marsi i vitit 1999 është data kur Forcat Paqeruajtëse të NATO-s kishin nisur bombardimet mbi caqet serbe në Kosovë.

Kampanja ajrore e nisur nga aleatët ndërkombëtarë zgjati gjithsej 78 ditë, me qëllimin e vetëm, për ta ndalur tragjedinë që Serbia po shkaktonte në Kosovë.

Ndërkohë, si rrjedhojë e kësaj KFOR-i më 12 qershor të vitit 1999 zbarkoi në Kosovë.

Me këtë rast, sipas të dhënave që NATO-ja ia ka siguruar gazetës “Zëri”, KFOR-i fillimisht kishte hyrë në Kosovë me 50 mijë trupa.

Në ndërkohë, numri i pjesëtarëve është zvogëluar me kalimin e viteve, me ç’rast aktualisht në Kosovë janë gjithsej 4500 trupa nga 31 shtete të ndryshme të botës.

Nga ana tjetër, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së e cilësojnë 24 marsin si datë historike me ç’rast, sipas tyre, kjo fushatë e bombardimeve bashkë me luftën çlirimtare sollën lirinë e Kosovës.

Ndërkaq, ekspertët ushtarakë konsiderojnë se vendosja e NATO-s në Kosovë ruajti stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonin.