Natasha Lako: Robert Elsie në paqen e përjetshme në Theth

Natasha Lako: Robert Elsie në paqen e përjetshme në Theth

Në përjetësinë e Thethit, vjen për t’u prehur Robert Elsie, albanologu dhe përkthyesi që i dha botës diçka prej shpirtit shqiptar dhe ne shqiptarëve na ka lenë çelsat për të hapur dhomat e kulturës që na ka lindur. Mik i mirë me të gjithë autorët shqiptarë, të politikës, letrave dhe gjithë rrugëtimeve të tjera të gjata.

Mik i largësive të mëdha shqiptare, deri në thellësi. Për herë të parë, ende i ri, zbriti në Tiranë për të kumtuar mbi letërsinë e ditës dhe ky qytetar i botës, herë i kujdesshëm, herë i vendosur në mendime, na tregoi se asnjëherë nuk do ta kenë të lehtë mendimet e zyrtarizuara. Sa më shumë u bë mik me gjuhën dhe me botën shqiptare, aq më shumë do të na çudiste Robert Elsie me zbulimet dhe kërkimet e tij të pafund.

Ndoshta mund të quhet edhe lexuesi më i etshëm i letërsisë shqipe. Ndoshta mund të quhet bashkudhëtar i palodhur me fatet shqiptare.

Personalisht e kam njohur nga pranë dhe nga larg. E kam parë të ecë mendueshëm në qytetin Studenti, si për të begatuar me vargjet e shumta të poeteve shqiptar që i kishte në mendje, sheshin ku studentë nga e gjithë Shqipëria dhe qindra mijëra banorë të Tiranës, u mblodhën të vendosur për të ndryshuar jetën. Priste i lumtur të shfaqej çdo ekstravagancë e re lirie dhe gëzohej për çdo gjë të re, njeriu që nuk u lodh se udhëtuari nëpër lashtësinë shqiptare.

Dhe bëhej më serioz ndër seriozët në përkthimet e tij të politikës. Ishte njeriu që mbante në një thes, si Shën Nikolasi, në ndërrimin e viteve, lirikën e mrekullueshme shqipe, së bashku me faqe të përkthyera për krime të mëdha.

Edhe tani më kujtohet se m’u duk sikur i pashë fytyrën atje në bibliotekën e Akademisë Suedeze, ku përveç një bibliografie të tij në anglisht mbi letërsinë shqipe, nuk ekzistonte asnjë lloj informacioni tjetër, madje as veprat e Kadaresë nuk ishin ende në shqip, megjithë depozitimin e gjithë gjuhëve të tjera të botës. Që atëherë dhe deri sot, të gjithë falënderimet për Robert Elsie, janë shumëfishuar. Në Theth, pranë kishës ku në vitin 1918 ka predikuar Shtjefen Gjecovi, atë po e falënderon sot edhe balta më e ëmbël se mjalta. Shqipëria po i dhuron paqen e përjetshme një njeriu që e deshi me jetën e tij. Peng Robert Elsie, më mbet pa nisur libri im i fundit. Paqja e letërsisë shqipe, vetëm bekon.