Nait Hasani, nga deputet i pabindur në lavdërues i Thaçit

17.03.2017 19:14
Nait Hasani, nga deputet i pabindur në lavdërues i Thaçit

Kritikave të ditëve të fundit drejtuar presidentit Hashim Thaçi se po vë në dyshim marrëdhënien e Kosovës me ShBA-të për formimin e ushtrisë, u është përgjigjur deputeti Nait Hasani, që e ka konsideruar ish-shefin e tij partiak si një njëri që është më amerikan se vetë amerikanët.

“Thaçi nuk është anti-amerikan, por pro-amerikan, madje shumë pro-amerikan, më amerikan se amerikanët”, ka thënë tha Hasani, duke shpërfillur deklaratat e ambasadorit amerikan Greg Delaëie, i cili të mërkurën kërkoi nga autoritetet e Kosovës të ndalojnë nismën për transformimin e FSK-së.

Duke folur për Klan Kosovën, Hasani ka lavdëruar Thaçin edhe për guximin e treguar lidhur me këtë çështje.

“Kosova është vonuar me iniciativën që ta ketë ushtrinë e vet në kuptimin e plotë të fjalës. Kuvendi dhe Qeveria nuk kanë pasur guxim brenda vetës, Presidenti e ka shfrytëzuar të drejtën që e lejon kushtetuta, të drejtën për inicimin e ligjeve dhe ai e ka bërë këtë. Presidenti i Kosovës e ka marrë iniciativën dhe tani kemi situatën faktike”, tha Hasani.

Por, deputeti Hasani jo gjithherë ka shfaqur besimin e tij tek Thaçi, të cilin e ka pasur shef gjatë kohës sa presidenti ka drejtuar Partinë Demokratike të Kosovës.  Deputeti Hasani kishte dalë kundër Thaçit në atë kohë lidhur me votimin për Gjykatën Speciale.

“Nuk do të votoj për krijimin e gjykatës speciale, e cila thjesht do të gjykojë UÇK-në. Duhet të ketë një gjykatë do të gjykonte të gjitha krimet e kryera në Kosovë,” kishte thënë Hasani për BIRN në korrik të vitit 2015.

Ai po ashtu është kundër marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, të cilën Thaci e kishte nënshkruar gjatë kohës sa shërbente si Ministër i Punëve të Jashtme.

Për më tepër, Hasani në mesin e vitit të kaluar, pak kohë pas zgjedhjes së Kadri Veselit në krye të PDK-së, ai thoshte se partia e tij tashmë ka gjetur një liderë më të guximshëm e stabil se Thaci.

“Edhe Veselin edhe Thaçin i njoh prej kohës së 90-va. Zoti Veseli ka qenë më i heshtur dhe më operativ, ndërsa Thaçi ka qenë më i hapur dhe më i ekspozuar. Zoti Thaçi jo gjithherë ka mundur t’i realizojë planet e veta, kështu i është dashur ndihma. Unë me sa e njoh Veseli është më i qetë sesa Thaçi, më stabil sesa Thaçi dhe më i guximshëm sesa Thaçi. Kur e merr një punë ai e kryen 100%”, kishte thënë ai atë kohë.

Një nismë e presidentit Thaci për të ndryshuar misionin e FSK-së përmes një projektligji ka hasur në kundërshti nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë kërkuar që Kosova të bëjë ushtrinë përmes ndryshimeve kushtetuese./Insajderi.com