Na fal Enver që të këqyrem si djalë “spiuni”!

07.03.2018 12:03

Të premten veteranit të luftës Enver Hoxha mund t’i rritet edhe më shumë trishtimi. Ama nuk duhet të ndjehet i turpëruar me babanë e tij. Nuk e kishte spiun, por viktimë të një bande kriminale e cila fatkeqësisht edhe sot e ka në duar të ardhmen e Kosovës, njëjtë siç e kishte pasur në dorë jetën e babait të Enverit 20 vjet më parë.

Na fal Enver që të këqyrem si djalë “spiuni”!

Pak njerëzve u lexohet më shumë dhimbja në sy sesa ish-pjesëtarit të UÇK-së, Enver Hoxha. Trishtimi i tij është i njëjtë si sot e 20 vjet më parë.

Ajo mëri që i del prej shikimit të thellë të syve, buron nga enigma se kush ia vrau babanë më 2 tetor 1998 dhe lufta e vazhdueshme për ta hequr prej ballit tiketën e “birit të spiunit”.

Enver Hoxha, ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kohën kur babanë ia kishin rrëmbyer dhe vrarë pjesëtarë të të njëjtës ushtri të cilës i përkiste ai.

Forca për të ecur përpara dhe guximi për të kërkuar drejtësi, është gjëja më e drejtë që mund të bëjë një familjar i një viktime të pafajshme.

Hetime të shumta të UNMIK-ut, pastaj të EULEX-it dhe së fundi ngritja e aktakuzës nga prokurorja speciale, Drita Hajdari kundër Fatmir Limajt, për përgjegjësi në vrasjen e Ramiz Hoxhës nga Bellanica dhe Selman Binishit nga Banja e Malishevës, pritet të marrë fund të premten kur një trup gjykues në Gjakovë do ta shpallë aktgjykimin.

Në gjithë këtë proces, më së paku ka rëndësi nëse dikush do të shpallet fajtor apo i pafajshëm. Më e rëndësishmja është se dy civilë pa fije faji janë vrarë nga UÇK-ja; familjet e tyre janë njollosur për vitet të tëra; dhe mungesa e ndjeshmërisë së shprehur prej ish-drejtuesve të UÇK-së për këto dy viktima.

Mungesë totale dhimbjeje kanë shprehur Azem Syla, Bislim Zyrapi, Sokol Dobruna e Jakup Krasniqit në këtë proces gjyqësor.

Kur i lexon ato e gjen arsyetimin se pse klasa politike e dalë nga lufta është kundër Gjykatës Speciale: ata kanë kryer krime të tmerrshme.

Fatmir Limaj, i njohur si komandant Çeliku është i akuzuari i vetëm për këtë krim, ndonëse përgjegjësinë për vrasjen e dy civilëve e kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me anë të një komunikate.

Limaj ishte parë pas rrëmbimit të viktimave si dhe pak minuta pas ekzekutimit. Kishte kaluar afër kufomave, i shoqëruar nga një ushtar tjetër. E vetmja gjë që kishin bërë, ka qenë çarmatosja e Ejup Hoxhës, i cili po i ruante kufomat.

Veprime tjera nuk kishte ndërmarrë Limaj.

Ai u arsyetua se nuk është marrë me këtë hetim për shkak se përgjegjësinë e kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

“Letërekzekutimi” i një analfabeti

Fshatarët e Bellanicës kishin falur xhumanë me 2 tetor 1998 nën drejtimin e imamit, Ymër Hoxha. Pas kryerjes së namazit, disa pjesëtarë të UÇK-së kishin shkuar për ta arrestuar Hoxhën e fshatit nën dyshimin se kishte pasur një takim me forcat serbe.

Arrestimin e imamit nuk e kishte lejuar Ramiz Hoxha. Kishte dalë në ballë të fshatarëve për ta kundërshtuar arrestimin. U kishte thënë pjesëtarëve të maskuar të UÇK-së se nuk mund ta marrin imamin. Kishte propozuar që të shkonin në odën e tij dhe të bisedonin. Kishte hipur në veturën e personave të armatosur.

Por, pak minuta dhe kilometra përtej fshatit Bellanicë, ishte pushkatuar. Një letërekzekutim e shkruar me dorë i ishte lënë afër trupit.

Së bashku me Hoxhën, ishte pushkatuar nga e njëjta skuadër edhe i riu Selman Binishi. Arsyeja pse ishte vrarë, ishte fakti se ai u kishte thënë ushtarëve të maskuar të UÇK-së, se e dinte se po i njihte se kush janë ata. Skuadra, e kishte futur në bagazh të veturës duke e dërguar në një mal për ta pushkatuar së bashku me Ramiz Hoxhën.

Krimi ishte mbuluar me një copë letre e shkruar nga një dorë analfabeti.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Drejtoria e Shërbimit të Policisë Sekrete, në emër të popullit shpall këtë fletekzekutim: për shkak të bashkëpunimit me okupatorin, ndjelljes së frikës, panikës dhe urrejtjes, në emër të popullit shqiptar dhe në emër të luftës tonë çlirimtare dënohet me vdekje Ramiz Hoxha – Bellanicë si tradhtar i kombit. Fati i tillë do t’i pret çdo tradhtar tjetër”, shkruan në fletekzekutimin që i ishte lënë në trup Ramiz Hoxhës, më 2 tetor 1998.

Disa ditë më vonë ishin arrestuar dy aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shtabi i Përgjithshëm kishte lëshuar komunikatë. Me të konfirmonte edhe vrasjen e Hoxhës dhe Binishit.

“Policia Ushtarake e nënzonës operative të Pashtrikut me datën 30. 10. 1998 ndërmori masën e arrestit ndaj Jakup Kastratit nga fshati Turjakë të Komunës së Malishevës, kryetar i LDK-së, Dega në Malishevë dhe Cenë Deskut, nga fshati Siqevë me vendbanim në Malishevë, nënkryetar i kësaj dege”, shkruan në komunikatën e Shtabit të UÇK-së.

“Në bazë të të dhënave të Shërbimit informativ të UÇK-së të lartpërmendurit kanë propaganduar për dorëzimin e armëve në bashkëpunim me kolaboracionistët, Selman Binishi nga fshati Banjë dhe Ramiz Hoxha nga Bellanica, kohë më parë i ekzekutuar nga UÇK-ja si dhe janë në koordinim të vazhdueshëm me Agim Krasniqin, anëtar i Kryesisë së LDK-së i cili shërbimit informativ të UÇK-së i është i njohur si inspirues i luftës speciale kundër UÇK-së dhe nismëtar i njëfarë policie autonomiste të Kosovës”, thuhet në tej në komunikatën numër 4.

Drejtoria Policisë Ushtarake të UÇK-së thoshte se sektori i hetuesisë, është duke kryer hetime kundër të arrestuarve, Jakup Kastrati dhe Cenë Desku në burgun hetues numër 3.

Përgjatë këtyre 20 vjetëve përpjekje të familjes Hoxha për drejtësi, dy gjëra janë të sigurta: Se Ramiz Hoxha e Selman Binishi nuk ishin spiunë të Serbisë, po viktima të një grupi kriminal që nuk di të shkruaj asnjë copë letër; se njerëz të UÇK-së kanë kryer krime lufte, për të cilat duhet të akuzohen dhe dënohen me burg.

Në gjithë politikën për ta penguar drejtësinë, klasa politike “ka kërkuar prokurori dhe gjykatë speciale vendore për hetimin dhe gjykimin e krimeve të pretenduara të UÇK-së.

Në kohën kur del një prokurore shqiptare dhe ngrit aktakuzë kundër një komandanti të fuqishëm të UÇK-së, nuk gjen gjyqtarë që më të njëjtin guxim dhe profesionalizëm do të gjykonte bazuar në atë aktakuzë.

“Është rast sensitiv, i kam dy fëmijë dhe duhet të kem kujdes”, kishte thënë një gjyqtar shqiptar kur i kishte rënë të gjykonte një komandant lufte.

Si njeri i drejtësisë, ai nuk e kishte zemrën dhe mendjen me viktimat, por me të akuzuarin se çfarë mund të pësonte apo përfitonte prej tij.

Në këto rrethana, natyrisht se klasa politike do të kërkojë “prokurori dhe gjykatë speciale vendore për krime lufte”, dhe do t’i kundërvihet Gjykatës Speciale me seli në Hagë.

Sepse përtej ndjekjes së rasteve të veçanta, Gjykata Speciale do të gjykojë të akuzuarit për përgjegjësi në krimet e rënda që nga janari 1998, deri në dhjetor të vitit 2000. Përgjegjësia për këto krime është e qartë: ajo është e shkruar në secilën komunikatë të UÇK-së siç është komunikata numër 4.

Të premten Enverit mund t’i rritet edhe më shumë trishtimi. Ama nuk duhet të ndjehet i turpëruar me babanë e tij. Nuk e kishte spiun, por viktimë të një bande kriminale e cila fatkeqësisht edhe sot e ka në duar të ardhmen e Kosovës, njëjtë siç e kishte pasur në dorë jetën e babait të Enverit 20 vjet më parë.

Sot, gjithë shoqëria duhet t’i kërkojë falje familjeve Hoxha dhe Binishi. Sepse pos që nuk bëri asgjë për t’i ndihmuar të gjenin drejtësi, i shikoi me përçmim si familje të “dy spiunëve” të vrarë nga UÇK-ja. /Insajderi.com