Myta, Shpendi e Fati – epitetet e Albin Kurtit për kandidatët e VV-së

Myta, Shpendi e Fati – epitetet e Albin Kurtit për kandidatët e VV-së

Albin Kurti është shfaqur në çdo tubim elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje të tri ditëve të para të fushatës. Në Prizren, Prishtinë e Ferizaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës foli për konceptin social-demokrat të Vetëvendosjes e për vullnetin e mirë, që sipas tij, e kanë kandidatët e partisë për kryetarë komunash.

E për secilin kandidat të Vetëvendosjes ai pati nga një epitet, përmes së cilëve i krahasonte ata me imazhe a dukuri pozitive.

Mytaher Haskukës, kandidatit të Vetëvendosjes për Komunën e Prizrenit, Albin Kurti ia vendosi epitetin e “Mytës”. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha se me Mytaher Haskukën, në Prizren do ta “mbysin korrupsionin e krimin e organizuar”.

“Me Mytën e mytim korrupsionin. Me Mytën e mytim krimin. Me Mytën e mytim parregullsinë.
Me Mytën e mytim papërgjegjësinë”, ka thënë Albin Kurti, në hapjen e fushatës zgjedhore të Vetëvendosjes në Prizren.

Në po të njëjtën ditë, në një tubim të VV-së me qytetarë e aktivistë në Prishtinë, Albin Kurti pati një epitet për t’ia vënë kryetatarit aktual të komunës dhe kandidatit për kryetar, Shpend Ahmetit. Për Ahmetin, Kurti e pati më të lehtë për t’ia gjetur epitetin.

Kur tha se “Prishtinës i duhen krah”, Kurti i vuri epitetin e “Shpendit” kryetarit aktual të Prishtinës.

“Se Shpendi ka krahë, se Shpendi është shpend prandaj ka krahë, veçse krahë duhet të ketë edhe Prishtina e krahu i Prishtinës është asambleja e komunës së Prishtinës”, u shpreh Kurti, në tubimin me qytetarë të Prishtinës të premtën.

Pa epitet, Kurti nuk e la as kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Ferizajt. Faton Topallit ai i vendosi epitetin e “Fatit”; atij fati, që sipas Kurtit, do të jetë i mirë për qytetarët e Ferizajt, raporton Insajderi.

“Fatoni është fati jonë për transparencë. Fatoni është fati jonë për kompetencë. Fatoni është fati jonë për shëndetësinë. Fatoni është fati jonë për përgjegjësinë”, deklaroi Kurti, gjatë fjalimit të mbajtur sot në Ferizaj.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 22 tetor, vetëm tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve qendrore. /Insajderi.com