Myslimanët shqiptarë duhet t’i kthehen Islamit traditës, patriotik, laik, proevropian

Myslimanët shqiptarë duhet t’i kthehen Islamit traditës, patriotik, laik, proevropian

Publicisti dhe gazetari Mustafa Nano ishte i ftuar në Forumet UET, në një debat me pedagogët dhe studentët e Universitetit Evropian të Tiranës mbi tezat e tij për fenë dhe identitetin kombëtar, që kanë ngjallur debat publik

Islami nuk duhet të jetë një temë tabu për debatin publik në vend. Mustafa Nano, gazetar, publicist dhe autor i disa librave që kanë ngjallur debat, beson se liria e fjalës duhet të zbatohet edhe kur vjen fjala për tema të ndjeshme, siç janë ato fetare. Ai e sheh debatin e hapur si mënyrën më të mirë për t’u përballur me sfidën e marrëdhënieve mes feve.

Pas publikimit të një analize të gjatë në gazetën Mapo me titull: “Politically incorrect: Çfarë nuk shkon sot me Islamin shqiptar?” Nano e preku sërish temën në një debat me studentët dhe pedagogët e Universitetit Evropian të Tiranës të martën në mbrëmje i ftuar në formatin e Forumeve UET me temë “Reformizmi vs Populizmi”.

Sipas tij nuk duhet të ketë temë tabu. Ashtu siç është folur mbi krishterimin, Jezu Krishtin, ashtu siç janë bërë për këta me dhjetra libra kritikë, ashtu duhet të flitet e debatohet, madje dhe të bëhet humor edhe me islamin dhe profetin Muhamed. Sipas Nanos, Europa është dorëzuar përballë islamit dhe rrezikon t’i bëjë varrin vetes, qytetërimit të saj në të ardhmen.

“Konvertimi në fenë islame është proçka më e madhe që kanë bërë shqiptarët në historinë e tyre”, pohon Nano. “Po kësaj gjëje nuk kemi se ç’t’i bëjmë tanimë. Myslimanët janë këtu, janë tanët, janë shqiptarë me titull të plotë, dhe këtu kanë për të qenë jetë e mot, derisa të ekzistojë Shqipëria”, saktësoi ai.  Më tej ai thekson se tradita islame që kanë shqiptarët ka një dimension properëndimor që duhet ruajtur.

“Evropa dhe sidomos establishmentet politike janë duke u dorëzuar përballë presionit që vjen nga myslimanët, të cilët sigurisht, janë duke kërkuar të drejtën  e tyre për të jetuar në bazën e traditës që kanë. Këtu kemi arritur në një pikë, që ti për Jezu Krishtin mund të thuash çfarë të duash, mund të përdorësh termat më të rëndë, janë bërë dhe libra.. kritikë, fyes, skualifikues për profetin e të krishterëve, për Krishtërimin, ndërsa për islamin ti nuk thua dot gjë.

Askush nuk thotë dot gjë. Të gjithë janë dorëzuar në këtë klimë. Dhe po të thuash diçka, të thonë islamofob. Ose të thonë “pse po na ofendoni?”. Të vjen t’u thuash: ‘Po ofendoheni? Ok, shumë mirë, ofendohuni, punë e madhe.

Ju duhet të mësoheni të ofendoheni, ashtu si janë mësuar edhe të krishterët’. Dhe këtu intelektualët evropianë të së majtës, janë bashkuar, ka një lloj solidariteti me të gjithë atë pjesë myslimane që shfaqet lëkurëhollë në këto rrethana, dhe unë këtë lloj asimetrie nuk e kuptoj dhe kjo lloj asimetrie, nëse lejohet të vazhdojë kështu, do të ndryshojë Evropën. Unë mendoj që njerëzit kanë të drejtë ta thonë atë që mendojnë për Krishtërimin, por kanë edhe të drejtë ta thonë atë që mendojnë për islamin.”- theksoi ndër të tjera Nano.

A ka nevojë islami shqiptar për reformim?

Kjo pyetje sipas Nanos nuk qëndron nëse do ta krahasonim me reformimin që ndodhi me Krishterimin.

“Reformimi, kjo është një gjë që që po diskutohet, reformimi i botës islame, sepse bota islame është në një krizë, ka probleme. Ka shumë intelektualë, klerikë e teologë të Islamit që janë në krahun reformator. Mirëpo ka një problem, sepse shpesh herë i referohemi reformacioni evropian, dhe themi: pse s’po del një Martin Luter në botën islame? Harrojmë se është një situatë krejt tjetër.

Martin Luteri dhe gjithë reformatorët e tjerë të shek. 16 dhe 17 dolën, duke thënë se ‘të krishterët i kanë ikur mesazhit burimor, mësimeve të Krishtit, prandaj duhet të kthehemi atje, në burim’. Ndërsa tek bota islame është sfida e kundërt. Myslimanët nuk është se i kanë ikur burimit. Ata po insistojnë të rrinë te versioni burimor i Islamit, dhe në këto rrethana reformim i Islamit do të thotë t’i ikësh burimit, t’i ikësh shekullit VII e të vish në shekullin XXI.

Prandaj, nuk mendoj se ka nevojë për një Martin Luter, nuk mendoj se është kjo ajo që i duhet Islamit. Prandaj, jam një çik pesimist për reformën e islamit në botë. Ndërsa në Shqipëri, zgjidhjen e shoh  shumë të qartë, islami shqiptar është islam i vjetër. Ne duhet të mësojmë nga Evropa sepse jemi axhaminj, duhet të marrim prej saj demokracinë, kulturë politike, e mjaft gjëra të tjera, por përsa i takon Islamit nuk kemi se ç’të mësojmë.

Ne jemi më ustallarë se ata në këtë pikë, pasi islamin e kemi tonin, e kemi të vjetër, e kemi 500 vjeçar. Kemi një islami tonin, të markës shqiptare me të gjitha tiparet që ka. Këtu vetë komuniteti duhet t’i dalë për zot kësaj tradite. Madje, këtu e shoh zgjidhjen e problemit fetar në Shqipëri:”Myslimanët duhet të rekuperojnë traditën e tyre të Islamit, që është laik, properëndimor, atdhetar”.

Nëna e Skënderbeut, “shoqëria u mbyt në një pikë ujë”

Debati më i nxehtë i verës në media ka qenë padyshim deklarimi i Nanos se nëna e Skënderbeut, Vojsava Tribalta, ka qenë sllave”, por autori i thënies beson se debati që lindi prej kësaj thënieje times, e që zgjati disa javë rresht, e që u zhvillua me tone të nxehta, “tregoi se shoqëria shqiptare mbytet me një pikë ujë. As që ishte nevoja e atij debati; unë mendoj se ai debat, i ngritur mbi një çikërrimë, madje mbi asgjë, na turpëron të gjithëve”.

Pastaj vijoi: “Unë bëra një gabim, gjatë bisedës me studentët në Vlorë u shpreha “ajo ishte serbe”, në një kohë që në kokë e kisha “sllave”, por reagimi erdhi në të nxehtë dhe shumë nervoz. Mua më shokoi reagimi dhe paniku akademik, i natyrës “ca thotë ky”, a thua se unë po thoja që nëna e Skënderbeut  është gamile apo xhirafë.

Ndërkohë që thashë është sllave.  Martesa mes sllavëve dhe shqiptarëve ka qenë diçka rutinore, diçka që ndodhte shumë më shopesh se saa e mendojmë sot. Kështu që ky lloj  paniku akademik m’u duk shenjë e faktit që shoqëria jonë mbytet me një pikë ujë.

Nuk kishte asnjë arsye për të bërë gjithë këtë debat, edhe sikur ta merrnim për  një sajesë timen, provokacion timin, apo për një gjë të thënë nën motivime të liga, që unë u shërbej sllavëve apo grekëve, edhe sikur ta merrnim kështu, nuk është se thashë ndonjë gjë që do trondiste në themele kombin shqiptar. Thashë një gjë që në atë periudhë mund të ndodhte fare mirë, siç i ndodhi vëllezërve dhe motrave të Skënderbeut, që u martuan me sllavë”- komentoi Nano.

Akademia, në gjumë, e izoluar, pa asnjë ndikim

I përfshirë në debatin për reformimin e Akademisë e Shkencave pas denoncimit publik të profesor Artan Fugës se ishte kërcënuar, Mustafa Nano, tha kritikoi mendësinë e “heshtjes” e të “izolimit” së akademikëve, por e cilësoi Fugën të “llastuar”.

“Në lidhje me Artan Fugën më bëri përshtypje një eksitim i tij, në momentin që Sali Berisha u shfaq solidar me të, në momentin që ky i fundit e ushqeu sendërgjinë e kërcënimit që medemek i ishte bërë Fugës. Zhurma lidhur me kërcënimin ishte një llastim i pakuptueshëm i Fugës. Dhe Fuga, në vend që ta prapësonte solidaritetin e Berishës, në vend që t’i thoshte se “nuk është nevoja, nuk ka nevojë ta teprojmë”, e përshëndeti me shumë ngazëllim. Në një kohë që Berisha kish thënë se “kërcënimin e kish bërë Noriega i Shqipërisë”.

Ky lloj eksitimi i Artan Fugës në këtë rrethanë më bëri shumë përshtypje. Sigurisht e mbështes  atë në lidhje me kauzën që po përfaqëson, më vjen mirë që kauza e tij ka fituar terren, sepse më duket që ka të drejtë, akademia e shkencave është një gjë e antrofizuar, sipas meje”- u shpreh Nano.

Ndërsa akademinë ai e cilësoi “një institucion akademik të izoluar”. “Akademikët kanë krijuar një kullë të fildishtë, nuk marrin pjesë në asnjë lloj  debati që bëhet, të natyrës publike, gjithë bota po zien nga debati për  fetë, nga debatet mbi konfliktin e qytetërimeve, në Shqipëri gjithashtu ky debat është i kohës, dhe do të jetë gjinjë i kohës. Mirëpo akademikët heshtin, nuk ndihen”, tha Nano, duke shtuar se ka përjashtime, megjithatë, me akademikë që përfshihen realisht në debate.