Myftiu i Tiranës mohon se u mbulua shtatorja e Skënderbeut

Myftiu i Tiranës mohon se u mbulua shtatorja e Skënderbeut

Lutja e mëngjesit e festës së besimtarëve myslimanë “Kurban Bajramit”, edhe këtë vit u fal në sheshin “Skënderbe” në Tiranë, në pritje të përfundimit të Xhamisë së Namazgjasë, e cila për nga madhësia e saj pritet të shmangë faljet në shesh të besimtarëve shqiptarë.

Më shumë sesa simbolika e kësaj dite të veçantë për besimtarët, zëri është ngritur për atë që po konsiderohet skandal, dhe që ka të bëjë me ‘mbulimin’ nga një monitor, të bustit të heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, të vendosur në qendër të sheshit që mban emrin e tij.

Në një reagim nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, situata duket krejt ndryshe. Gurra thotë se vendosja e monitorit është bërë 10 metra larg monumentit të Skënderbeut, dhe nuk ka asnjë qëllim për të mbuluar imazhin e tij, të konsideruar dhe të pranuar si hero të kombit, edhe nga ana e myslimanëve.

“Është absurde, është gjëja më non sens që mund të ndodhte nëse ka njeri në komunitet që mendon se në rastet e një falje të Bajramit do të çonim nëpërmed të mbuluarit e bustit, çfarëdo busti, siç është ai i heroit kombëtar”, – shprehet ai.

Sa i përket idhujtarisë, Myftiu sqaron se në rastet e faljes së namazit në shtëpi, “është e këshillueshme, e sugjerueshme që të mos ketë pamje frymore, (një portret -njeriu ose kafshe) por kjo nuk përjashton në mënyrë kategorike të mos mbajturit e tyre.

“Kur falesh në dhomë ajo thjesht duhet të mos jetë vizuale, e dukshme për ty. Nëse pas ndonjë xhamie do të ishte ndonjë bust, idhujtarinë që mund të ushqejmë ne na mbron një mur ndarës i xhamisë? Kjo është absurde! Ndërsa në rastin e faljes në sheshin Skënderbeu, pjesa drejtpërdrejt sheshit bajramin e kaluar është lënë bosh, për shkak se në shesh kishte monitorë të gatshëm të Bashkisë së Tiranës (të vendosur në pjesën me gungë  në mes të sheshit”, sqaron ai.

Ylli Gurra thekson se organizimi i faljes u bë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, dhe ekranet ishin më të mëdhenj se në Bajramin e vogël në qershor. “Këtë vit nuk pati një strukturë të ngritur nga Bashkia dhe për efekt teknik, monitorët u vendosën në lartësi të tillë që pjesa e ngritur në mes të sheshit të mos i pengonte shikimin besimtarëve që ndodheshin pranë Hotel Tiranës. Kjo për shkak se sheshi vjen me ulje kur i afrohesh bustit të “Skënderbeut”,- shton Myftiu i Tiranës.

Për situatën e krijuar dhe akuzat e ngritura se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e ka bërë me qëllim mbulimin e bustit të Skënderbeut për shkak se nuk e pranon heroin kombëtar, Ylli Gurra thotë se ka marrë edhe kërcënime me jetë.

“Unë kam marrë edhe kërcënime me jetë, në Facebook. Sot paradite. Persona me emër mbiemër. Një pjesë duket nga Kosova. I mëshojnë shumë pjesës që “ju nuk jeni shqiptarë duhet të ikni, jeni turq”, tregon Gurra për Express.

Sipas Myftiut të Tiranës e gjithë kjo krijohet për efekt të përçarjes së besimtarëve.

“Ushqyerja e ndasisë, e urrejtjes, sado minimale të jetë është nga rreziqet më fatale, më goditëse. Urrejtje fetare të këtij lloji, në këtë mënyrë, kaq shpejt dhe kaq shumë në lidhje me Bajramin, nuk ka pasur ndonjëherë”, – përfundoi për Myftiu i Tiranës Ylli Gurra.