Muzeu Historik Kombëtar shpalos poezinë më të hershme shqipe

Muzeu Historik Kombëtar shpalos poezinë më të hershme shqipe

Dita Ndërkombëtare e Poezisë po shënohet sot me shumë aktivitete e shpalosjen e poezive të shumta, Muzeu Historik Kombëtar, në këtë ditë të rëndësishme ka shpalosur poezinë më të hershme në gjuhën shqipe.

Muzeu Historik Kombëtar në kuadrin e Ditës Botërore të Poezisë, ka shpalosur poezinë më të hershme në gjuhën shqipe, e që është “Kënga e përshpirtshme”, gjetur në katekizmin e Lekë Matrangës “E mbsuame e krështerë”, në vitin 1592.

Kënga e përshpirtshme

Gjithëve u thërres, kush do ndëlesë

Të mirë e të krështe, bura e gra

Mbë fjalët të tinëzot të shihni meshë

Se s’ishtë njeri nesh çë mkatë s’ka

E lum kush e kujton se ka të vdesë

E mentë bashkë mbë tënëzonë i ka

Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë

E bën për bir të ti e për vëlla.

Lekë Matranga (1569-1619), është shkrimtari më i vjetër i arbëreshëve të Italisë dhe autori i librit të dytë të botuar në gjuhën shqipe (pas atij të Buzukut).

Për nevojat kishtare të bashkëkombësve të vet përktheu nga italishtja në gjuhën amtare një katekizëm me titull “E mbsuame e krështerë”, i cili u botua në Romë në vitin 1592.

Nga dorëshkrimi i autorit, i zbuluar në Arkivat e Vatikanit, gjendet një vjershë me 8 (tetë) vargje njëmbëdhjetërrokëshe.

Me këto vargje, të natyrës fetare, një lutje dhe përgjërim drejtuar besimtarëve, dokumentohet poezia e kultivuar në letrat shqipe, duke shënuar fillimin e poezisë autoriale.