Mustafa vizitoi vendin ku do të ndërtohet Stadiumi Kombëtar

14.03.2017 14:20
Mustafa vizitoi vendin ku do të ndërtohet Stadiumi Kombëtar

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, vizituan vendin ku pritet të nisin punimet për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës.

Në këtë rast, Mustafa u shpreh i lumtur me punën që po bëhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Federata e Futbollit të Kosovës në përgatitjen e stadiumeve në përputhje me të gjitha kriteret e UEFA-s dhe të FIFA-s, në të cilat do të zhvillohen ndeshjet ndërkombëtare.

Duke parë nga afër vendin në të cilin do të nisin punimet për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar, kryeministri Mustafa shpreson se me ndërtimin e këtyre objekteve sportive do të konkurrohet jo vetëm në regjion, por do të konkurrohet dhe me vendet e Bashkimit Evropian.

“Do të përplotësojmë të gjitha kriteret e UEFA-s dhe të FIFA-s. Si Qeveri më vjen mirë që kemi arritur që të përmbyllim disa investime në disa fusha dhe që kemi krijuar hapësirë tani që të merremi me sportin. Edhe organizatat sportive, edhe qytetarët, por edhe rinia e meritojnë që ne t’i japim përparësi themelore kësaj fushe dhe ne do të bëjmë maksimumin që të sigurojmë mjete qoftë nga buxheti, qoftë nga organizatat e tjera dhe vendet e tjera”, ka thënë Mustafa.

“Ka vija të tilla financiare të cilat ne i kemi hulumtuar deri më tani dhe mund t’i shfrytëzojmë që të ndërtojmë këtu stadiumin i cili do të plotësojë të gjitha kriteret e FIFA-s dhe UEFA-s, që të ndërtojmë edhe stadiume të tjera shtesë ose përcjellëse që do të jenë ndërlidhëse me këtë, që të përkrahim edhe dislokimin e Fakulteti të Edukatës Fizike në këtë pjesë”.

Më tej, ai theksoi se në bazë të iniciativës së ministrit Shala, do të bashkëpunohet me Komunën e Obiliqit, që nëse nevojitet sipërfaqe më e madhe në mënyrë që të gjitha objektet sportive të shtrihen në  atë pjesë të Prishtinës.

Ministri i Sportit, Kujtim Shala, tha se po punohet intensivisht që të përmirësohet gjendja e objekteve dhe infrastrukturës sportive, meqë është trashëguar një gjendje e patolerueshme.

“Po ashtu, do të kujdesemi që punimet të jenë cilësore, të mos jenë sikur të fazës së parë. Do të testojmë punimet shkallë-shkallë dhe do të ftojmë ekspertët e UEFA-s dhe të FIFA-s, të infrastrukturës, që të mbikëqyrin secilën fazë që ne pasi të bëjmë investime të kemi të garantuar edhe licencimin e objekteve”, tha ministri Shala.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës,  Fadil Vokrri, e ka njoftuar kryeministrin për punën që po bëhet në ndërtimin e dy stadiumeve, atë “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe ndërtimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë.

“Bashkë me ministrin kemi shikuar të gjitha mundësitë që të përgatitet stadiumi në Mitrovicë dhe klubet të mos e kenë fatin e vitit të kaluar dhe të mos e prezantojnë Kosovën”, tha kryetari Vokrri.

Meqë është një kohë e shkurtër, Vokrri shpreson se do të bëhet maksimumi që brenda dy muajve të përgatitet stadiumi “Adem Jashari” për klubet të cilat fitojnë të drejtën të luajnë në garat e UEFA-s.