Mustafa viktimizohet me “dy lajme të montuara” kundër tij, harron licencën e tenderët për djemtë e tij

Mustafa viktimizohet me “dy lajme të montuara” kundër tij, harron licencën e tenderët për djemtë e tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa është duke pretenduar se kandidatëve të tyre mund t’i montohet ndonjë gënjeshtër me qëllim që t’i dëmtojë ata në prag të votimit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka përmendur një hulumtim të bërë në vitin 2013 nga Kovavizioni “Skandali i LDK-së- djali i Isa Mustafës dhe këshilltari në LDK, Favore të riut për kalim në LDK”.

Sipas Isa Mustafës, “Vetëvendosja ia kishte vënë mikrofonat dhe kamerat e fshehta një aktivisti të tyre, të forumit të rinisë, i cili kishte takuar njerëz të LDK-së dhe iu ishte ofruar se do të kaloj në LDK. Kishin gjetur rrugë për të organizuar një kafe me djalin tim, dhe ia montuan se ai i kishte ofruar tenderë, punësime dhe lloj-lloj shërbime të tjera”, raporton Insajderi.

Po ashtu Mustafa ka përmend edhe një hulumtim tjetër në vitin 2012.

“Më 21 mars 2012 isha në Strasburg dhe nga atje në mëngjes dëgjova se KTV kishte organizuar një “skandal”, duke u shërbyer me një të mjerë që jeton në SHBA, se ia paskan zbuluar Isa Mustafës një shtëpi në Stuttgart dhe se dyshohet ta ketë blerë me fonde të trepërqindshit. Reagova se është e pa vërtetë dhe në mbrëmje u vërtetua se shtëpia ishte pronë e një iraniani me emër të njëjtë”, ka vazhduar tutje postimin e tij Mustafa.

Të dy këto storie Mustafa i ka quajtur gënjeshtra duke ju thënë kandidatëve të tij për kryetar komunash që të kenë kujdes ngase sipas tij mund të përgaditet ndonjë skandal për prishje të imazhit.

“Këso gënjeshtra mund tu montohen edhe kandidatëve për kryetarë të komunave. Mund ti dëmtojnë në prag të votimit. Prandaj, Arban, Agim, Haki, Lutë, Muharrem, Salih, ….. dhe ekipe te juaja, kujdes! Këta ua montojnë ndonjë rast. Duken të rinj me moshë, por metodat i kanë më të vjetra se të këtyneherëshit”, ka përfunduar postimin e tij Mustafa.

Ndër tjerash Insajderi në fillim të këtij viti kishte publikuar hulumtimin për marrëdhëniet e dyshuara korruptive mes shtetit dhe djemve të kryeministrit. /Insajderi.com