Mustafa: Vetëvendosje përcaktohu – a është shteti i kapur, apo jo

Mustafa: Vetëvendosje përcaktohu – a është shteti i kapur, apo jo

Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka nxjerrë një varg kritikash ndaj Vetëvendosjes, por edhe kundërshtarëve tjerë politikë, të cilët, sipas tij, i gëzohen ndonjë fatkeqësie kur i ndodh atij.

Dëshira e Vetëvendosjes për ta parë prapa grilave atë dhe kryetarin aktual Futfi Hazirin, e kishte penguar Mustafën.

“Aksioni i djeshëm i LVV për reflektim të dëshirës së krerëve të kësaj organizate për t’i parë Qemën e Lutën prapa grilave sa është hipokrit, po aq është i mbështjellur me mosdije e axhamillëk të kësaj organizate”.

Ai ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të përcaktohet qartë në qëndrimet e saj për “kapjen e shtetit”.

Për LVV, sa herë që prokuroria ngritë ndonjë akuzë a pretendim për anëtarët e aktivistët e saj, ajo është e kapur dhe është nën kthetrat e krimit e të kriminelëve por, e njëjta prokurori nëse ngritë pretendim për Qemajlin e cilindo tjetër, ajo është kredibile dhe e besueshme”, ka shkruar Qemajl Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.

Mustafa ka dhënë qëndrim të qartë për drejtësinë, duke thënë se ajo “është e paditur, selektive dhe e ndikuar dhe jo e besueshme”.

Vetëvendosjes ia ka bërë me dije se Prishtinën e fituan me votat e PDK-së, të cilën më pas e tradhtuan.

“Mos merrni turr se keni zënë në thu e do të rrezoheni anipse unë jam ithtar i ndërrimeve e rotacioneve në qeverisje”, ka shkrua ai.

Atij nuk i ka pëlqyer krahasimi i qeverisjes së tij me atë të Lutfi Hazirit, duke e cilësuar aq të ndryshme si nata me ditën.

“Tendenca për me na bashkue mua me Luten është sikur kur don me i bë bashkë ditën me natën e ato asnjëherë nuk rrijnë bashkë. Duhet me ikë nata për me zbardhe dita”, ka shkruar ai.

“Krenohem me punën e mirë dhe me rregullsinë në administratë e në zhvillim për vitet e mia të qeverisjes. Kurrën e kurrës nuk jam pishman për punën që bëra në komunë për qytetarët e mi të respektuar pa dallim. E puna për partinë është temë tjetër…”, ka vazhduar ai./Insajderi.com