Mustafa thotë se Kosova është ende kampione e optimizmit

Mustafa thotë se Kosova është ende kampione e optimizmit

Kryeministri Isa Mustafa ka uruar qytetarët e Kosovës për Vitin e Ri përmes një video të shkurtër, duke thënë se “po e përmbyllim një vit të rëndësishëm          ”.

Ai ka numëruar disa prej suksesve që sipas tij kanë ndodhur gjatë këtij viti.

“Së bashku e forcuam shtetin tonë, e rritëm ekonominë, e ulëm papunësinë, u anëtarësuam në UEFA dhe në FIFA, miratuam Ligjin për Trepçën, morëm Kodin Telefonik, krijuam kushte për hapjen e fabrikave, avancuam raportet me NATO-n dhe me Bashkimin Evropian, miratuam një buxhet rekord mbi 2 miliardë euro e shumë të arritura tjera”, ka thënë Mustafa.

Por, ai ka pranuar se “përkundër sukseseve evidente” Kosova po përballet me sfida.

“Po punojmë pa pushim për lëvizje të lirë, për më shumë vende të punës, për arsim dhe shëndetësi më të mirë dhe për forcim të sundimit të ligjit. Viti 2017 është një mundësi e hapur për ne, që së bashku, t’i përkushtohemi edhe më shumë zhvillimit të vendit. Është koha t’i lemë anash kundërshtimet dhe t’i kryejmë punët që i kemi në dorën tonë.”

“Kosova është ende kampione e optimizmit duke pas në vete potenciale të mëdha vullneti, pune e kreativiteti. Besoj shumë se në vitin 2017 do të kemi suksese, do të jetë vit i lëvizjes së lirë, vit i punës dhe i zhvillimit. Andaj, të punojmë me përkushtim dhe dashuri për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për shtetin tonë”, ka shtuar Mustafa./Insajderi.com