Mustafa thërret PAN-in të mos mbaj peng vendin

Mustafa thërret PAN-in të mos mbaj peng vendin

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, para vazhdimit të seancës konstituive që është caktuar të mbahet në orën 10:00, i ka bërë thirrje koalicionit PDK – AAK – Nisma që të krijojë kushte për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

Mustafa u ka përkujtuar PAN-it se të drejtën për propozimin e postit të kreut të kuvendit bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por thotë se nuk e kanë nuk e kanë këtë të drejtë pa kufi.

“Përgjegjësit për të themeluar institucionet e kanë adresën e tyre. Janë ata që organizuan dhe ekzekutuan mosbesimin ndaj Qeverisë. Nuk kanë nevojë të vonohen, as të kërkojnë orë e ditë shtesë, sepse lidershipi nuk krijohet për një ditë. Kushte nuk ka. Shfrytëzoni të drejtën që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, por jo pa kufi. Krijoni kushte të themelohen institucionet e vendit dhe mos e mbani vendin peng”, shkruan Mustafa.

Për më tepër Mustafa thotë se partia që ai drejton dhe partnerët e saj ‘e shohin Kosovën ndryshe’.

“LDK dhe partnerët e koalicionit, AKR dhe Alternativa, e shohin Kosovën ndryshe. Jo me ju në qeverisje. Ne kemi dije dhe jemi të përgjegjshëm që këtij vendi t’ia ofrojmë zgjidhjen më të mirë”.

Seanca konstituive e nisur dje në Kuvend u ndërpre, pasi PDK kërkoi që të shtyhet për dy orë në momentin kur duhej të hidhej në votim propozimi i PAN për kryetar të Kuvendit.

Edhe pse propozimi nuk mori shumicë votash, deputetët dolën nga salla kur kryesuesi si deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, e ndërpreu seancën, për ta thirrur më pastaj për në orën 15:00, thirrje së cilës nuk iu përgjigjën deputetët e PAN’it.