Mustafa i shqetësuar nga “peticionistët” kundër ambasadorit amerikan

20.02.2016 18:08
Mustafa i shqetësuar nga “peticionistët” kundër ambasadorit amerikan

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar të shtunën rreth një peticioni që kërkon largimin nga Kosova të ambasadorit amerikan, Greg Delawie.

Ai ka qenë i ashpër ndaj të gjithë atyre që kanë një kërkesë të tillë duke thënë se Amerika nuk e lëshon Kosovën ”sepse pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovës e duan Amerikën”.

“Ata që “frikësohem” se mos po e lëshojnë Kosovën pasi i ka lëshuar mendja, janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi, e mos po i braktisin burrat e tyre e po shkojnë në Kore të Veriut (sepse as Kuba nuk i pranon) apo disa OJQ-ista nacionalist ,mos po turren kah lindja.  Sidoqoftë unë i respektoj më shumë SHBA-të, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.

Në anën tjetër, zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, ka thënë se çdo fyerje ndaj ambasadorit amerikan në Kosovë “populli dhe qeveria e Kosovës e konsideron fyerje edhe ndaj popullit dhe qeverisë së Kosovës”.

“Ne e kemi për detyrë që t’i respektojmë dhe të bashkëpunojmë ngushtë me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve mike të akredituar në Republikën e Kosovës.  Populli i Kosovës i mbetet përjetë mirënjohës rolit udhëheqës të SHBA-ve për lirinë dhe pavarësinë tonë”, ka thënë Thaçi.

Më herët gjatë ditës, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur si të pavlerë këtë peticion.

“Veprimet e tilla nuk janë të orientuara vetëm kundër Ambasadorit Amerikan dhe SHBA-ve por edhe kundër vetë Kosovës dhe shqiptarëve”, ka thënë Haradinaj.

Një peticion që thërret largimin e Delawiet e që po qarkullon në rrjete sociale, duke se është nxitur pas kritikave që ambasadori amerikan i bëri dje tri partive opozitare pas hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bardhyl Meta, akuzoi pikërisht partitë opozitare se “indirekt përmes një personi special” kanë iniciuar këtë peticion.

Në ndërkohë, një peticion tjetër është hapur që kërkon mbrojtjen e ambasadorit amerikan.

/Insajderi.com