Mustafa pyet kush janë të fortët që marrin vendime të mëdha: Komandantët? Molotovët? Paqësorët?

Mustafa pyet kush janë të fortët që marrin vendime të mëdha: Komandantët? Molotovët? Paqësorët?

Kryeministri në largim, Isa Mustafa, përmes një statusi në Facebook, ka kërkuar të dijë se si do të merren vendimet e mëdha për tejkalimin e situatës së krijuar politike.

Mustafa, thotë se do të donte të shihte një të mençur të na thoshte sesi të marrim vendime të mëdha, të cilat u morën si pretekst për të ardhur në këtë situatë, që as Kuvendin s’po arrijmë të konstituojmë.

“Si të zgjidhim liberalizimin e vizave, për qytetarët tanë , të cilët të vetmit kanë mbetur të izoluar në Evropë, e që lidhet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kush do ti sigurojë 80 vota në kuvend. A do të votohet marrëveshja e cila është pajtuar me Malin e Zi apo do të kërkohet tjetër marrëveshje. A do të pajtohet Mali i Zi të bëjë një marrëveshje tjetër , pasi ka ratifikuar në Parlament marrëveshjen e pajtuar me ne. Nëse jo, sa do të zgjasin procedurat në arbitrazh ndërkombëtar dhe sa do të shtyhet liberalizimi, pasi që Komisioni Evropian ka konkluduar se ratifikimin duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës e jo arbitrazhi ndërkombëtar”, shkruan Mustafa .

Ai ka përmendur edhe një sërë cështjesh të rëndësisë së madhe për Kosovën, që sipas tij do të duhej të zgjidheshin sa më shpejt sic është dialogu me Serbinë, transformimi i FSK-së në Forcë të Armatosur, lufta kundër korrupsionit etj.

“Kush janë ata “të fortit” që marrin vendime “të mëdha”: Komandantët? Molotovët? Paqësorët?”

“Kam dëgjuar deklarata të ndryshme se Kosovës i nevojiten liderë që marrin vendime të mëdha. Por për të marrë vendime të mëdha duhet pasur madhësinë e pasuesve, si qytetarë apo deputetë që përfaqësojnë sovranin. Në Kosovë, maksimalisht arrihet te një e treta”, thotë ai.

Thotë se partia e tij, ka  marrë vendime të mëdha, të gjitha me mbështetje të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të miqve tanë evropian.

“Votat që LDK i ka dhënë në Kuvend deri sa ishte në opozitë, për disa vendime të mëdha, por jo të lehta, janë pajtime të arritura me faktorin ndërkombëtar, në rend të parë me SHBA për të quar përpara proceset e pavarësisë dhe të shtetndërtimit. Si LDK nuk kemi dhënë votë për zgjatjen e vendeve të rezervuara për përfaqësuesit joshumicë në Kuvend. Nuk e kemi përkrahur fusnotën”.

“Konsideroj se përgjegjësinë për të gjetur zgjidhjen e kanë ata që e shkaktuan këtë gjendje . Ata tani duhet të mendojnë dhe të veprojnë ndryshe, jo vetëm si me prishë, por si me ndërtua”, shkruan Mustafa.