Mustafa: Nuk do të marr pjesë në takimin e thirrur nga Thaçi

Mustafa: Nuk do të marr pjesë në takimin e thirrur nga Thaçi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se nuk do të marr pjesë në takimin konsultativ për caktimin e datës së konstituimit të Kuvendit të ftuar nga Presidenti Hashim Thaçi.

Sipas tij, ky takim është i panevojshëm dhe krijon huti tek qytetarët.

“Si lider i LDK-së nuk do të marr pjesë as në takimin e ftuar nga Presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputet nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre”, ka thënë Mustafa.

Këtë njoftim ai e bëri në Facebook, teksa komentoi një takim të përfaqësuesve të AAK-se me deputeten e partisë së tij, Teuta Rugova.

Sipas Mustafës, asnjë nga deputetët e LDK-së nuk do të votojë për koalicionin PAN.

“Asnjë nga LDK, që respekton LDK-në dhe që i rri besnik kësaj partie nuk do t’ia jap votat koalicionit të drejtuar nga PDK e as Ramush Haradinajt me PDK-në”, ka shtuar ai.

“Ata që e sulmuan me të gjitha mjetet dhe metodat e dhunës Kryeministrin dhe Qeverinë e drejtuar nga LDK, sot thirren në Ibrahim Rugovën dhe kërkojnë nga LDK dhe deputetët e LDK-së t’ua japin votën për Qeverinë e koalicionit të drejtuar nga PDK.  Me çfarë të drejte? Morale? Politike? Etike?”, ka thënë kryeministri në detyrë.

“Prandaj, mos na lodhni duke na treguar sesi ua dha Rugova mandatin. Sot nuk do t’ua japim as mandatin e as besimin. Asnjë nga LDK, që respekton LDK-në dhe që i rri besnik kësaj partie nuk do t’ia jap votat koalicionit të drejtuar nga PDK e as Ramush Haradinajt me PDK-në”, ka thënë Mustafa./Insajderi.com