Mustafa në spital në Gjermani – LDK thotë se ai i kujtoi vëllëzërit Gërvalla

Mustafa në spital në Gjermani – LDK thotë se ai i kujtoi vëllëzërit Gërvalla

Edhe pse Isa Mustafa ka udhëtuar drejt Gjermanisë për të bërë analizat mjekësore të cilët nuk mund të bëhen në Kosovë, për shkak të sistemit të dështuar të shëndetësisë, sipas LDK-së, kryetari i tyre ka gjetur kohë edhe për të kujtuar katër figura të rëndësishme.

Sipas një komunikate të LDK-së, kryetari i partisë, nga Gjermania ku po i bënë analizat mjeksore pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ka gjetur kohë që të përkujtojë veprimtarët e shquar kombëtarë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, në 36 vjetorin e vrasjes nga regjimi ish-jugosllav, si dhe deputetin e LDK-së e komandantin e UÇK-së, Smajl Hajdaraj, të vrarë tinëzisht para 16 vjetësh.

Siç njofton LDK, kryetari Mustafa ka vlerësuar rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm që vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, dhe më vonë Smajl Hajdaraj, dhanë për çlirimin e Kosovës.

Ata madje e kanë cituar Mustafën të ketë shkruar edhe një përkushtim ndaj këtyre figurave.

Ky është përkujtimi:

Intelektuali brilant dhe veprimtari Jusuf Gërvalla, bashkë me Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën ishin prijës të lëvizjes kombëtare për liri nën regjimin e ashpër komunist, në kohërat më të vështira. Ndërkaq, 20 vjet më vonë, pas veprimtarisë së pakursyer në lëvizjen paqësore për liri, pavarësi dhe demokraci, Smajl  Hajdaraj u vu në krye të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Rugovës duke luftuar me trimëri dhe vendosmëri ushtrinë kriminale të Serbisë.

Vrasja mizore e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ashtu si edhe vrasja e Smajl Hajdarajt, sipas kryetarit Mustafa, u kryen nga ata që nuk e deshën Kosovën e lirë e demokratike.

Por, Kosova është sot e lirë dhe e pavarur falë punës dhe luftës së paepur të veprimtarëve të saj të jashtëzakonshëm si vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka e Smajl Hajdaraj, të cilët do të përkujtohen e nderohen përjetë nga populli i Kosovës.